Ballina Bota Gjermania do t’i mbajë kontrollet kufitare ekstra

Gjermania do t’i mbajë kontrollet kufitare ekstra

Ministri i Brendshëm gjerman do të zgjasë për një kohë të pacaktuar kontrollet e rrepta në kufirin gjerman. Kjo gjë do të rrisë edhe presionin politik në nivel evropian për të modernizuar sistemin e azilit.

Në një konferencë në Berlin ministri i brendshëm gjerman, Horst Seehofer, mbrojti forcimin e kontrolleve kufitare, të cilat kanë nisur në fillim të nëntorit dhe kërkoi zgjatjen pa afat të tyre. Policia ka të drejtë të kontrollojë personat dhe automjetet direkt në kufi dhe deri 30 km larg tij.

Qëllimi kryesor, tha Seehofer, është të gjenden personat, të cilët me gjithë refuzimin e kërkesës për azil duan të hyjnë përsëri në Gjermani. Bujë bëri rasti i udhëheqësit të klanit libanez, Ibrahim Miri, i cili megjithëse ishte dëbuar, u kthye sërish në tetor përsëri në Gjermani ilegalisht.

Shumë shpesh kemi gjetur ato që kërkonim

Kontrollet e zgjeruara kufitare kryen tashmë prej 27 ditësh, u tha në Berlin. Gjatë këtyre ditëve është penguar hyrja në vend e 178 personave, tha Seehofer. Në këto kontrolle policia shpesh “ka gjetur ata që kërkonte”, deklaroi Presidenti i Policisë Gjermane, Dieter Romann. Gjithsej janë bërë më shumë se 100.000 kontrolle.

Romann bëri një listë të gjatë të zbulimit të delikteve të tjera gjatë këtyre kontrolleve: Për shembull janë kapur 1 177 persona, që ishin shpallur në kërkim. Ka patur 1235 shkelje të së drejtës së qendrimit, 406 zbulime droge, 205 shkelje të ligjit të mbajtjes së armëve, 47 falsifikime dokumentesh dhe 19 persona me sfond politik ekstremist.

“Goditjet” më të mëdha raportohen nga kufiri me Austrinë dhe Francën. Për shkak të këtyre shifrave të larta “prezenca e fortë e policisë është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, tha Seehofer dhe shtoi: “Siguria e brendshme fillon në kufij”.

Presidenti i Policisë gjermane theksoi edhe një tjetër pikë: Burgjet, sidomos me pikat grumbulluese të paradëbimit, janë mbushur shpejt. Në mbarë vendin ekzistojnë 577 pika të tilla paradëbimi. Prej kohësh kjo ishte kritikuar shumë pak. Sipas Roman momentalisht janë 248.000 persona për t’u larguar nga Gjermania.

Partia ambientaliste (Të Gjelbrit) e cilësoi “farsë” bilancin e Seehoferit. “Me bilancin e tij për kontrollet ministri mashtron popullsinë se është duke forcuar sigurinë dhe me kontrollet e vazhdueshme kufitare rrezikon unitetin evropian të krijuar në dekada.”, tha ekspertja e të Gjelbërve për politikën e brendshme, Irene Mihalic.

Kontrollet kufitare duhet të qëndrojnë

“Kontrollet inteligjente kufitare”, siç i quajti Seehofer, do të mbahen në fuqi “derisa të jetë garantuar mbrojtja e kufijve të jashtëm në Bashkimin Evropian”. Se si do të konstatohet kjo, Seehofer nuk e tha.

BE vendosi në fund të tetorit, që ta zgjerojë agjencinë e mbrojtjes së kufirit të BE-së Frontex në 10 000 punonjës. Kohët e fundit numri i hyrjeve ilegale në BE është ulur përsëri (shiko grafikun).

Prej vitesh Gjermania përpiqet që të bëhen përmirësime në sistemin e azilit në nivel evropian. Deri tani sukseset kanë qenë modeste. Së fundi Seehofer u përpoq të bindë partnerët e tjerë në BE, që të kenë një normë fikse të pranimit të refugjatëve, që vijnë me anije nga Mesdheu. Vetëm pak shtete pranuan. Një shembull tjetër: Seehofer  kerkonte që refugjatët të kontrolloheshin në “qendra mbërritjeje” në periferi të BE-së. Por nuk gjeti partnerë në Ballkan apo në Afrikën Veriore që të bashkëpunonin për këtë. Edhe sistemi europian i azilit, e ashtuquajtura Marrëveshje e Dublinit konsiderohet si e vjetruar – reforma dështoi.

Shumë shpresa drejtohen tani tek Presidentja e re gjermane e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen. Përveç kësaj Gjermania në vitin 2020 është presidente Këshillit të BE-së. Seehofer shprehu besimin e tij se do të mund të arrihen përparime në këtë kuadër. Sërish ministri i Brendshëm gjerman promovoi modelin e tij që të vendoset në kufijtë e jashtëm, se kush ka shanse për azil dhe kush duhet të kthehet atdhe.

Gjermania ndihmon shtetet e tjera

Seehofer u drejtoi vendeve të BE apelin, që kontrollet e reja kufitare në Gjermani të jenë „standarde për të gjitha vendet e Shengenit”, pra për zonën evropiane, ku evropianët mund të lëvizin lirshëm. I pyetur nga DW, Seehofer saktësoi se „do të shfrytëzojë çdo mundësi, për të biseduar me partnerët e BE”.

Gjermania vazhdon të ofrojë personel dhe asistencë teknike. Kështu një numër i madh i kamerave termike do t‘i dërgohen Kroacisë pas kërkesës së saj. Edhe me Bosnjën ka një bashkëpunim, veçanërisht për të përmirësuar situatën humanitare të refugjatëve.