Ballina Aktualitet Bundestagu gjerman pritet të akordojë ndihmë financiare për Shqipërinë

Bundestagu gjerman pritet të akordojë ndihmë financiare për Shqipërinë

Tërmeti që goditi rëndë Shqipërinë, solli një solidarizim nga vende të ndryshme anembanë botës, e sidomos nga vendet partnere të Shqipërisë. Së fundmi, edhe Bundestagu gjerman ka shprehur mbështetjen e tij në këtë kohë të vështirë për vendin tonë.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, në legjislaturën e fundit, Gesine Lotzsch, ka deklaruar se do të shikohet së shpejti mundësia e një ndihme financiare nga buxheti gjerman për të prekurit nga tërmeti në vendin tonë.

“Një tjetër mike e mirë e Shqipërisë të cilën patëm rast ta takonim këtu në Bundestag, parlamentin gjerman, Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, në legjislaturën e fundit, Gesine Lotzsch, e cila na premtoi se do të bënte çdo përpjekje që nga buxheti i shtetit të saj të mund të na akordohej një ndihmë e plotë, për të gjithë të prekurit nga tërmeti”, shprehet deputetja Ermonela Felaj.

Ajo shton se e gjithë kjo mbështetje e bën edhe më përgjegjëse qeverinë në përballimin e situatës dhe të pasojave të saj.
“Solidaritetin po e konstatojmë gjithandej dhe kjo duhet të na bëjë sigurisht më përgjegjës në gjithë punën që është duke u kryer për përballimin e pasojave, punë e cila duhet të përmbyllet përveçse me sukses”, deklaroi Felaj.