Ballina Aktualitet Kryeministri Rama: Do ndërtohen 3 lagje të reja në Tiranë, Durrës dhe...

Kryeministri Rama: Do ndërtohen 3 lagje të reja në Tiranë, Durrës dhe Kurbin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në bashkëpunim edhe arkitektë të huaj po diskutohen skenarët e rindërtimit të disa lagjeve të reja në zonat e prekura më tepër nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit.

“Po diskutojmë disa skenarë dhe skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi është që të arrijmë në një program rindërtimi rezultati i të cilit do të jetë krenari kombëtare”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Ramës, nuk do të lejohet ndërtimi i banesave sociale të tipit që kemi njohur deri tani që bëhen për të varfrit dhe që e kanë të shkruar në ballë gjithë jetën që janë në strehën e të varfërve.

“Do të ndërtojmë në Durrës një lagje krejt të re, që të jetë lagjja më e bukur e Durrësit pas viteve ’90, padiskutim. Një lagje të re nga e para me infrastrukture, kanalizime, ujësjellës, kopsht, çerdhe, shkolla, mjedise publike e banimi”,- deklaroi Rama.

Për sa i përket Tiranës, kryeministri informoi se është në diskutim një skenar për të ndërtuar një lagje komplet të re, të madhe dhe një skenar për të ndërtuar dy lagje më të vogla.

“Do t’a shtrojmë këtë çështje në një konsultë që po përgatit Ministria e Kulturës me arkitektë e urbanistë të huaj të famshëm, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të vijnë për të na dhënë konsulencë dhe shumë shpejt me vendim”.

Në zonën e Kurbinit, tha Kryeministri Rama, do të shemben të gjitha pallatet që kemi vizituar dje . Do të ndërtojmë një lagje të re, të vogël, por me parametra komplet tjerë.

“Për momentin jemi duke bërë kalkulimet e nevojshme. Ambicia ime është që të kemi një objektiv afatmesëm prej 10 mijë apartamentesh në tërësi dhe afat shkurtër prej 5 mijë apartamentesh”, deklaroi kryeministri.

Sepse kështu, theksoi Rama, mund të përfshijmë jo vetëm ata që janë drejtpërdrejt të prekur, por edhe të tjerë që janë me probleme sociale.

Gjithashtu, vijoi Rama, bëhet edhe për nevojën e një skeme për të mos bërë gabimin e bërë në vende të tjera të kryeqyteteve apo qyteteve evropiane, ku ndërtimi i lagjeve të reja krijoi vatra njerëzish të margjinalizuar, të ndarë nga pjesa tjetër dhe krijoi tensione të vazhdueshme.

“Këto lagje duhet të jenë mikse, ku të përzihen shtresat e shoqërisë, jo thjeshtë lagje ku strehohen vetëm të varfrit”, tha Rama.