Ballina Aktualitet “Tragjedia bashkon kombet”- “Washington Post” tregon si Kosova dhe Serbia ndihmuan Shqipërinë

“Tragjedia bashkon kombet”- “Washington Post” tregon si Kosova dhe Serbia ndihmuan Shqipërinë

Shkatërrimi i katastrova natyrore bashkon kombet’, kështu shkruan Washington Post në një artikull të publikuar së fundi, ku tregon për ndihmën që Ballkani, përfshirë Kosova e Serbia, i dhanë Shqipërisë pas tërmetit vdekjeprurës, ku humbën jetën plot 51 persona.

Tërmeti i së martës në orët e hershme të mëngjesit, la shumë viktima, të plagosur e njerëz pa shtëpi. Por, la në historinë e vendit edhe një plagë që vështirë se kalon.

Washington Post në artikullin e saj publikuar sot shkruan për ndihmën që vendet e ndryshme ia kanë dhënë Shqipërisë, si me mjete financiare, ashtu edhe me forca ushtarake, veshëmbathje e ushqime.

Mediumi i njohur amerikan, ka theksuar se në operacionet e shpëtimit morën pjesë edhe forca nga Kosova e Serbia, dy vendet që njihen për shkak të mosmarrëveshjes.

“Shumë shpejt, ekuipazhe të specializuara shpëtimi po vinin sipas të gjitha planifikimeve. Një nga më të habitshmet ishte një ekip prej 13 personash nga Serbia, një vend me marrëdhënie tradicionalisht të vakëta me Shqipërinë për shkak të mosmarrëveshjeve në vazhdim për Kosovën”, shkruan WP.

Tutje, në një mënyrë, mediumi i njohur ka krahasuar këtë situatë me atë të Greqisë dhe Turqisë, ku pasi u goditen nga tërmetet shkattërruese, pavarësisht mardhënieve, u detyruan të ndihmojnë njëra tjetrën.

”Ndonjëherë është fuqia pa dallim dhe shkatërrimi i katastrofave natyrore që bashkon kombet. Një shembull i dukshëm ishte kur Greqia dhe Turqia nxituan të ndihmojnë njëra-tjetrën pasi tërmetet shkatërruese goditën secilin vend në më pak se një muaj në vitin 1999”, thuhet në artikull.

Kujtojmë se Shqipëria më 26 nëntor është goditur nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë prej 6.4 shkallës, ku fatkeqësisht, nga kjo u shënuan plot 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur.
Në anën tjetër, mijëra persona nga Durrësi, Tirana e Thumana kanë mbetur pa kulm mbi kokë, ku shumica prej tyre janë strehuar në qendra sociale të ngritura nga Qeveria, ndërsa qindra të tjerë, po gjejnë strehim edhe në Kosovë.