Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, së bashku me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj vizituan sot qendrën e emergjencave civile në Durrës, të ngritur në stadiumin “Niko Dovana”, ku u takuan dhe u interesuan për shëndetin dhe gjendjen e banorëve të mbetur të pastrehë, si pasojë e tërmetit që goditi vendin.
“Falënderoj për të disatën herë Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, Kryeministrin Haradinaj, e në mënyrë të veçantë Forcat e Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, që kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm që në orët e para të përballimit të kësaj tragjedie dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën përkrah forcave tona, në ndihmë të qytetarëve tanë që kanë vuajtur këto pasoja të tmerrshme të tërmetit.
Ndërsa Kryeministri në detyrë i Kosovës, Haradinaj vuri në dukje se: “Jam i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar, së bashku me Presidentin e Republikës Meta, jemi sot në Durrës, pranë efektivëve edhe të Policisë së Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, të Ushtrisë së Shqipërisë, për t’iu dhënë përkrahje të mëtejme të gjithë të angazhuarve për kalimin e gjendjes.
Në përfundim, Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Haradinaj edhe Qeverinë e Kosovës edhe për kontributin e parë financiar që ata dhanë prej gjysmë milioni euro, duke nxitur dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve dhe sipërmarrësve të Kosovës.