Ballina Diaspora POETJA E KËNGTARJA XHEMI NOKSHIQI MUZAI NJË LARTËSI TALENTI E SUKSESESH...

POETJA E KËNGTARJA XHEMI NOKSHIQI MUZAI NJË LARTËSI TALENTI E SUKSESESH NË SHQIPËRI E AMERIKË

1.

            E kam njohur herët Xhemin. Atë kohë kur ajo ishte 10-vjeçe, atëherit kur isha drejtor i Qëndres Kulturore të Fëmijëve në Tropojë, kur merrte pjesë aktive dhe elitare në veprimtaritë e kësaj qëndre lokale, në koncerte të instrumentistëve e të këngtarëve, në Festivalet e Këngës për Fëmijë, ku ajo vinte nga shkolla e shtëpia e largët e shoqëruar dhe nga babai i saj i nderuar, Latif Ibër Meta i Bradozhnicës, i Nokshiqit të historisë e lavdisë shqiptare.

 Emri e zëri i saj si këngtare kishte marrë jehonë për mirë qysh në një veprimtari të shkollës së saj 8-vjeçare të Bradozhnicës (Tropojë), kur mori pjesë në një koncert në Pikën Kufitare të Lumës së Gashit, teksa këndoi këngën e asaj kohe “Brigada e Parë” (edhe pa shoqërim muzkor). Xhemi, njëherash i binte çiftelisë e  këndonte, dy herë “solo”. Si famëmadhja kangtare, e ndjera Fatime Sokoli, Artiste e Merituar – Mjeshtër e Madhe. Atëherit, dalja e saj në skenë u quajt një “zbulim i madh”. Ishte meritë e koreografit të talentuar Skënder Haklaj- Mjeshtër i Madh dhe i motres së tij valltare, Hajrie Haklaj; kryesisht i përkrahjes e edukimit muzikor nga kompozitori i njohur, i ndjeri Bashkim Gjyriqi. Nisë nga zëri i saj brilant, nga ardhja prej të njëjtes trevë alpine; ngaqë ishte edhe instrumentiste, edhe këngtare, e cilësuan masivisht si “Fatime Sokoli e Dytë”.  Të tjerë e quajtën “yll që rritet bashkë me muzikën”, etj. Ajo e kishte emrin e plotë Xhemile, por të gjithë nga dashuria e respekti ndaj saj si njeri e këngtare e thirrnin shkurt “Xhemi”, një emër që i mbeti përgjithnjë, edhe si kangtare, edhe si instrumentiste, edhe si poete.

Edhe sot, kur në botë kanë ndrrue shekujt, kur në Shqipëri kanë ndrrue sistemet, kur kangtarja e poetja ka ndrrue vendbanim etnik e ka shkue përtej Atlantikut, në “Planetin Amerikë” merr vlerësime kombëtare e ndërkombëtare.

Në një bisedë me këngtaren e mirënjohur Fatmira Brecani – Mjeshtër e Madhe, më shprehimon mirësisht se këngtarja shqiptaro-amerikane Xhemi Nokshiqi-Muzai “ka në zërin e saj bukurinë e Alpeve dhe melodinë e Valbonës të vendlindjes së saj, se nga këto vende e mori frymëzimin dhe u rrit si vajzë Malësie, si këngëtare e njohur”.

Poeti e gazetari i Radio “Tirana”, Jaho Margjeka, në një intervistë të 25 gushtit 2019, në emisionin radiofonik “Larg & Afër” e cilëson “bilbili i këngës”…Dhe vërtetë është një “bilbile e Alpeve”, një “bilbile e këngës shqipe”, “bilbile e këngës qytetare shqiptare” në Shqipëri dhe në Amerikë.

2.

             Xhemi Nokshiqi-Muzai mban në udhët e jetës së saj një mbiemër lavdie e krenarie, atë të vendit të saj të origjinës- Nokshiqit të historisë në Plavë-Guci, ku u zhvillua në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit një nga betejat ma të famshme në tokën etnike shqiptare: Lufta e Nokshiqit (dhjetor 1879-janar 1880), e cila ishte “Parathënia” e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës; ishte e para dhe e vetmja betejë ku/kur shqiptarët luftonin të vetëm përballë “Shtatë Fuqive më të mëdha të Botës” (Gjashtë Fuqitë e Kongresit të Berlinit dhe Perandoria Otomane) dhe dy Principatave Ballkanike Sllave (Malit të Zi e Serbisë); ishte e para betejë frontale luftarake e organizuar ku përdorej Flamuri ynë Kombëtar Shqiptar; ishte betejë fitimtare kundër Vendimeve të Kongresit të Berlinit për mos dhanien (dorëzimin) e tokave etnike shqiptare të Plavës e Gucisë për Principatën e Malit të Zi.

            Në Betejën historike të Nokshiqit kanë marrë pjesë të gjithë paraardhësit e saj të Vllaznisë Mekuli (Nokshiqi), edhe burrat, edhe gratë, duke treguar akte të larta herozimi e vetmohimi, të cilat janë përshkruar e përjetësuar edhe në këngë, edhe në librin tim “Nokshiqi i Historisë”, edhe në librat e poetit 90-vjeçar Shaban Bali Nokshiqi.

            Në kohën e Masakrës së Previsë ndaj krahinës së Plavë-Gucisë me rrethina, ku Mali i Zi vrau 700 shqiptarë trojenik të atyhit, Familja Nokshiqi e Xhemi Nokshiqit, paraardhësit e saj, u shpërngulën nga Nokshiqi në Bradozhnicë të Tropojës dhe një degëzim i saj, ma i amdh, edhe në LLugaj të Tropojës. Nga kjo Familje e Madhe kemi disa Martirë të Kombit si Bajram Hysi i Mekulëve të Nokshiqit (në Masakrën e Previsë 1912-1913), Bali Bajram Nokshiqi (1944, në Plavë) Islam Bali Bajrami (1947, në Mulliq-Gjakovë).

            Poetja e kantautorja Xhemi Nokshiqi u rrit në një truall të tillë me trima e histori atdhetare, që dhanë kontribute për Kombin Shqiptar nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deri në Luftën e fundit të Kosovës (1997-1999), ndaj dhe në krijimtarinë e saj ka poezi e kangë patriotike, si poezia “Nokshiqasit luftën fillojnë”, “Kosova nënë”, “Ilirdë Çamëri”, “O trim, o yll”, “Shqipëri”, etj. apo këngët -videoklip  “Kuqezi”-“Fluturon Shqiponja”, “Dheu i ëmbël”, “Vogëlushes kosovare”, “Gjuha Shqipe”, etj.

            3.

            -Koncertet e vogla të moshës së fëminisë e zbuluan dhuntinë e talentin e Xhemi Nokshiqit si këngtare e talentuar, e cila mori pjesë në veprimtari të Qendres Kulturore të Fëmijëve në Bajramcurri, me Ansamblin “Dardania” të Shtëpisë së Kulturës të Tropojës, në Festivale Kombëtare për Fëmijë në Shkodër, në Tiranë, në Festivalin Folklorik Kombëtar të Beratit dhe deri në Turqi e në Amerikë. Xhemi Nokshiqi ka një talent genetik, shpirtëror, të veçantë si këngtare, prandaj nuk iu ka ndalë kurrë kënga, përkundrazi ka arritë të jetë një këngtare e njohur brenda e jashtë Atdheut të saj”- tregon kompozitori i njohur Kolë Susaj – Mjeshtër i Madh.

            Në trungun e gjanë genetikt ë kësaj Familjeje të Madhe Nokshiqase ka edhe këngëtarë të tjerë si i mirënjohuri Zek Nokshiqi, i cili ka kënduar në skena të Tropojës, në Shqipëri, në Kosovë, në Malin e Zi, tani jeton e veprimtaron si biznesmen e nënkryetar i Qëndres Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas e Kordinator i “Gazeta e Alpeve” për SHBA.

            Xhemi Nokshiqi ishte në klasë të pestë ku mori pjesë në Festivalin e Instrumentistëve të Vegjël në RTSH në Tiranë, ku u vlerësua me çmim të parë, i binte çiftelisë, këndoi një këngë për Bajram Currin – Hero i Popullit.

            Xhemi Nokshiqi ka fituar disa herë çmime edhe në Festivalet e Këngës për Fëmijë në Tropojë, si dhe në Festivale Kombëtare të Këngës për Fëmijë në Shkodër, ka marrë vlerësime dhe Festivalin Folklorik Kombëtar të Beratit me këngën “ Vdeksha në sytë e tu”, të kënduar së bashku me këngtarin Lekë Pecnikaj nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.

            Këngtari i Ansamblit të Këngëve e Valleve pranë TOB në Tiranë, Lekë Pecnikaj, duke e kujtuar këtë kohë, këtë festival, këtë debutim të tyrin në Berat, më thotë se: “Xhemi Nokshiqi Muzai është këngtare shumë e mirë, e talentuar, e shkolluar, artiste që do të mbahet gjatë në memorien e njerëzve, që vazhdon të këndojë dhe në Amerikë duke e mbajtë gjallë komunitetin shqiptar të atjeshëm me këngën e bukur shqipe”.

            Xhemi Nokshiqi është dhe “njeriu orkestër”, pasi iu bjen pesë instrumentave, si çiftelisë, sharkisë, etj. Ajo edhe iu bie veglave muzikore, edhe këndon. Ajo i ruan traditat e këngës së Tropojës, të këngëve të Shqipërisë së Veriut.

            Valltari i mirënjohur Deli Metaliaj – Mjeshtër i Madh, teksa më flet për këngtaren e famshme Xhemi Nokshiqi Muzai më thotë se “është një këngtare e mrekullueshme, që di të ruajë vlerat e larta autoktone të Tropojës”.

            3.

            Xhemi Nokshiqi është një këngtare e njohur që ka punuar e sakrifikuar shumë për edukimin e saj muzikor, për lartësimin e saj kulturor, sepse e ka ndjek për kanto Shkollën e Mesme të Muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër”, të cilën e fitoi me konkurs dhe e mori me meritë me rezultate të larta. Ajo punoi dhe mësuese në Babinë të Tropojës, si dhe e ndoqi Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës në degën për Gjuhë-Letërsi. Ajo gjithnjë, gjithmonë, edhe në Tropojë, edhe në Shkodër, edhe në Tiranë, edhe në Amerikë, nuk e ndan librin nga vetvetja, lexon e studion për lartësimin e vetvetes.

            Xhemi Nokshiqi, qysh në shkollë 8-vjeçare ka filluar të shkruajë poezi. Edhe këngët e saj kanë për autore Xhemi Nokshiqin Muzai. Ajo është një kantautore e mirë.

Në Nju Xhersi të Amerikës është njoft dhe me shokun e saj të jetës, me Alush Muzai nga Saranda një njeri i mirë që meriton nderime e vlerësime si bashkëshort, si qytetar shqiptaro-amerikan, si një shqiptar atdhetar.

            Xhemi Nokshiqi Muzai ka disa këngë videiklipe, me tekst e muzikë të saj, të kënduar prej saj, si videoklipin “Dheu i ëmbël” (12 tetor 2016), “Tropoja kreshnike” (12 nëntor 2016), “Dashuria” (5 dhjetor 2016), “Lule trendeline” (19 shkurt 2017), “Moj Saranda” (5 mars 2017), “Fluturon shqiponja” (22 maj 2017), “Come On Baby” (13 tetor 2017), “Më prit” (20 nëntor 2017); “Love U” (27 shkurt 2017), “You Are The Only One” – “Mbretëresha e Ilirsë” (6 shtator 2018), “Vogëlushja kosovare” ( 4 prill 2019), “Gjuha Shqipe” (28 shtator 2019), etj., të cilat kanë marrë popullaritet, janë mirëpritur nga artdashësit, kanë larmi tematike, gjeografi krahinore, janë këngë patriotike, lirike, etj.

            4.

            Xhemi Nokshiqi Muzai ka një çerek shekulli në Amerikë, në vendin që e mban lart këngën shqipe në veprimtari të ndryshme, por atje e jetësoi dhe talentin e saj si poete e talentuar.

            Sivjet e botoi librin e saj të parë poetik dygjuhësh shqip-anglisht: “All because…of you”, tek Shtëpia Botuese “Nacional”, me redaktor poetin e shquar Mujo Buçpapaj, njëherash dhe drejtor i “Botimet Nacional”, i gazetës kombëtare letrare “Nacional”.

            Ky libër poetik i Xhemi Nokshiqit Muzai me 107 poezi patriotike, lirike, etj.  është mirëpritur nga lexuesit dhe kritika letrare.

            Botuesi e redaktori i librit, poeti e shkrimtari panshqiptar Mujo Bucpapaj, e vlerëson në një artikull te “Nacional” poeten Xhemi Nokshiqi Muzai si “një poete inteligjente dhe në kërkim të ndryshimit, që me këtë libër dëshmon talent dhe kulturë të gjërë…”. Dr. Rovena Vata, në një shkrim të saj te portali kombëtar “Limit.al” e tek gazeta “Nacional”, shprehet se “ Libri i Xhemi Nokshiqit “All because… of you”, një arritje për poezinë bashkëkohore”.

Libri poetik “All because… of you” është shpall “Libri më i mirë i Vitit 2019” në një veprimtari kombëtare të organizuar në sallen “Metropol” të “Hotel Tirana International & Conference Centre” në kryeqytetin e Shqipërisë, në prani të personaliteteve e njerëzve  të letërsisë e artit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Amerika.

 

Ramiz LUSHAJ