Ballina Aktualitet Cilat qytete ofrojnë pagat më të larta në vend, po më të...

Cilat qytete ofrojnë pagat më të larta në vend, po më të ulëtat?

Qarku i Tiranës, Fierit dhe Kukësit ofrojnë pagën më të lartë mesatare për një të punësuar në raport me qarqet e tjera gjatë vitit 2018, sipas të dhënave të INSTAT.

Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2018 është 50.589 lekë, Qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë (57.533 lekë), ndërsa Qarku i Lezhës dhe Shkodrës kanë pagën më të ulët (afërsisht 39.000 lekë).

Harta e pagave sipas rajoneve tregon se qarqet që kanë të zhvilluar industrinë fason dhe shërbimet kanë një nivel më të ulët të pagës mesatare për të punësuar, siç është rasti i qyteteve të Shkodrës, Korçës.

Ndërsa qytetet që shfrytëzojnë burimet natyrore si Kukësi, që bazon punësimin kryesisht në administratë dhe miniera, ka një nivel mesatare page më të lartë.

Pagat  e larta në Qarkun e Kukësit janë në paradoks me të ardhurat për frymë, të cilat nga më të ulëtat në shkallë vendi, por kjo ndodh për faktin se ka ende një papunësi shumë të lartë.

Krahasuar me mesataren mujore në nivel kombëtar, Qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë (13,72 %), ndërsa Qarku i Shkodrës ka pagën më të ulët (22,06 %).

Të dhënat tregojnë se bashkitë, të cilat kanë të zhvilluar punësimin ne sektorin e industrisë nxjerrëse kanë vlerën e pagës mesatare mujore shumë afër vlerës së asaj në nivel kombëtar.

Krahasuar me vitin 2017, paga mesatare mujore bruto gjatë vitit 2018 shfaq një tendencë rritjeje me 3,3 %.

Qarku i Durrësit ka rritjen më të madhe të pagave (5,0 %), ndërsa Qarku i Kukësit ka rritjen më të vogël (1,6 %), më 2018.

Studimet mbi pagën mesatare mujore bruto tregojnë se përqindjen më të madhe të ndryshimit e kishte sektori i ‘Arte, argëtim dhe çlodhje’ me 16,85 %, ndërsa kjo përqindje në sektorin e ‘Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme’ u ul me 2,13 %.

Të dhënat tregojnë se qarqet që kanë të zhvilluar turizmin kanë ofruar paga më të larta vitin e kaluar. Qarku i Durrësit, Tiranës dhe Beratit ofruan rritjen më të madhe të pagës vitin e kaluar në raport më të tjerat.