Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ka bërë një deklaratë të papritur që i ka habitur të gjithë. Ai tha se nëse do të paguhej sa rroga mesatare e qytetarëve të vendit të tij 400 € edhe ai do të largohej në emigrim njësoj si bashkatdhetarët e tij.
Pendarovski e dha këtë deklaratë për disa të rinj në Novi Pazar. Kreu i shtetit maqedonas paralajmëroi se maqedonasit nuk mund të presin zgjatjen e tepërt të procesit të integrimit të BE. Në këtë mënyrë, ai mbështeti nismën rajonale të ‘’Mini-Shengenit Ballkanik’’ mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
‘’Ata kanë vetëm një jetë, të gjithë ne kemi vetëm një jetë dhe askush nuk është i çmendur që ta harxhojë në negociatat me BE që zgjasin vite të tëra, ndërsa paga mesatare në vendin tim është 400 euro. Të mos isha president edhe vetë do të largohesha nga vendi im”, u shpreh Pendarovski.
Një deklaratë e tillë është parë si tepër dekurajuese dhe pesimiste për qytetarët maqedonas. Kundërshtari politik VMRO-DPMNE e kritikoi ashpër presidentin Pendarovski.