Franca hodhi në qarkullim kohët e fundit idenë e një anëtarësimi më gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sipas një propozimi jozyrtar të Francës, kushtet për vendet që aspirojnë të anëtarësohen duhet të jenë më të qarta dhe më të verifikueshme, ndërkohë që procesi mund të kthehet mbrapsht nëse vendet nuk e kalojnë provën.
Zëri i Amerikës mori mendimet e dy ekspertëve të çështjeve evropiane, Andi Hoxhaj në Universitetin Warwick të Britanisë dhe Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, European Movement Albania.
Franca thotë se është dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, por nëpërmjet një procesi më gradual. Një dokument në formën e një propozimi jozyrtar i paraqitur prej saj vë kushte të rrepta në aspektet e sundimit të ligjit si edhe të integrimit ekonomik dhe shoqëror.
Dokumenti propozon edhe një kthim prapa për vendet që nuk zbatojnë rregullat e reja.
Zëri i Amerikës pyeti me skype ekspertin Andi Hoxhaj në Universitetin Warwick të Britanisë nëse do ta vononte procesin nëse ky propozim bëhet realitet.
“Kjo është pyetja dhe ngelet për t’u parë në janar, por ka shumë mundësi që kjo ta shtyjë më tej integrimin dhe mundet që ata të kapen në teknika dhe sfida burokratike, madje mund të mos ketë fare anëtarësim në qoftë se disa nga këto etapa (nuk përmbushen). Deri diku kjo është edhe kritika më e madhe që i është bërë Francës për këtë propozim, pra sepse mund ta shtyjnë me teknika burokratike.”
Gledis Gjipali, ekspert i çështjeve evropiane në Tiranë, Drejtor Ekzekutiv i organizatës European Movement Albania, beson gjithashtu se nëse propozimet e reja vihen në jetë, procesi në tërësi do të ngadalësohet:
“Besoj se mund ta vonojnë procesin për vetë shkakun e thjeshtë se edhe vetë Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian do të duhet që të përshtatet, në rast se gjithsesi do të pranohen këto rregulla. Pra, t’i përshtatet një procedure të re, një metodologjie të re të zgjerimit, e cila mund të themi se këto 20 vjet është rafinuar gjithnjë e më shumë dhe vetë Bashkimi Evropian ka mësuar nga zgjerimet e mëparshme.”
Vendet aspirante për në Bashkimin Evropian do të duhet të përgatiten për një rrugë më të vështirë të anëtarësimit, sidomos për shkak se tek votuesit francezë dhe në vende të tjera mungon oreksi për zgjerimin e BE-së.
Por, thotë Dr. Hoxhaj, rruga e re mund t’u sjellë edhe të mira Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera aspirante.
“Padyshim që nuk ka një dëshirë për zgjerim të Bashkimit Evropian dhe kjo e bën deri diku më të vështirë për vendet e Ballkanit, por nëse ne integrohemi në disa nga këto programe, siç është tregu i përbashkët, mendoj se pas kësaj mund të ketë edhe një rritje të besueshmërisë se këto vende të Ballkanit mund të bëhen pjesë e BE-së në të ardhmen.”
Fjala është për propozimin e përfshirë në dokument që procesi i ri të përfshijë stimuj ekonomikë për vendet që duan të anëtarësohen.
Franca dëshiron që Komisioni Evropian t’i shqyrtojë idetë e reja deri në janar 2020, por disa analistë thonë se ky është një afat që vështirë se mund të realizohet.
Gjithsesi, kjo lëvizje e re e Francës të paktën nuk e ndal procesin pafundësisht, thotë eksperti Gjipali:
“Të paktën kjo heq një nga frikat e mëdha që do të kishim një bllokimapo një anulkim të të gjithë procesit të zgjerimit dhe ky është elementi i parë pozitiv që vlen për t’u vlerësuar”.
Nuk ka dyshim se kundërshtimi i Presidentit Macron për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, lidhet shumë me politikat e brendshme dhe me synimin për të kënaqur forcat politike që janë kundër imigracionit.
Por nuk mund të mohet se këto dy vende dhe të tjera në rajon përballen me një korrupsion galopant që ka dëmtuar thellë procesin zgjedhor, si dhe ka paralizuar pavarësinë e gjyqësorit dhe të medias.