Ballina Bota Në Filipine do të arrestohen përdoruesit e cigareve elektronike

Në Filipine do të arrestohen përdoruesit e cigareve elektronike

Filipine do të ndalojë përdorimin dhe importimin e cigareve elektronike dhe do të arrestojë këdo që i përdorë ato, tha presidenti Rodrigo Duterte.

Filipine i bashkohet një numri në rritje të vendeve, që po marrin masa për të ndaluar përdorimin e cigareve elektronike, raporton Reuters.

Presidenti Duterte njoftoi për vendimin gjatë një konference për media, pasi u pyet për një raport të Departamentit të Shëndetësisë që konfirmon rastin e parë të dëmtimit të mushkërive, që lidhet me cigaret elektronike.

“Unë do ta ndaloj atë. Përdorimin dhe importin. E dini pse? Sepse është toksike dhe qeveria ka fuqinë të nxjerrë masa, për të mbrojtur shëndetin publik dhe interesin publik”, tha Duterte, i cili gjithashtu ka ndaluar pirjen e duhanit në publik.

Ai gjithashtu udhëzoi institucionet për zbatimin e ligjit që të arrestojnë këdo që kapet duke konsumuar cigare elektronike në publik.

Duterte, 74 vjeç, ishte dikur një duhanpirës kronik, por ndaloi konsumimin kur u diagnostikua me një sëmundje, e cila mund të shkaktojë bllokime në enët e gjakut.

Industria e cigareve elektronike ka shënuar një rritje të shpejtë, mirëpo është përballur me një reagim në rritje të publikut për shqetësimet e përdorimit nga të rinjtë.

India, e cila ka popullsinë e dytë më të madhe të duhanpirësve të rritur në botë, ndaloi shitjen e cigareve elektronike në shtator, pasi paralajmëroi një “epidemi” të konsumimit midis të rinjve.

Zyrtarët e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara rekomanduan qytetarët të mos përdorin cigare elektronike, pasi u raportuan shumë vdekje dhe qindra raste të sëmundjeve të lidhura me përdorimin e tyre.

Në vitin 2018 tregu global i cigareve elektronike ishte në vlerë 15.7 miliardë dollarë. Parashikohet që në vitin 2023 kjo shumë të arrijë në 40 miliardë dollarë.