Nënkryetarja e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Katja Leikert, në një përgjigje dhënë Deutsche Welle-s është shprehur me kritika ndaj propozimit të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit.
“Është mirë që Qeveria Franceze po bën propozime konstruktive për procesin e zgjerimit të BE-së, por nuk mund të ketë një reformë të procesit të zgjerimit, në të cilën të gjitha hapat e zgjerimit do të kundërshtohen me veto, derisa të ketë një dakordësim, siç e ka bërë Macron në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, i tha Katja Leikert Deutsche Welles të martën në Berlin.
Qeveria Franceze ka shpërndarë javën e kaluar një propozim jozyrtar me disa pika për reformimin e procesit të zgjerimit. Ajo sugjeron që zgjerimi të bëhet për çdo kandidat në shtatë hapa. Dhe anëtarësimi të bëhet vetëm kur të jetë konsoliduar së brendshmi BE. Por, Leikert është e mendimit, se nëse në çdo të hapë do të ketë veto, atëherë Bashkimit Evropian do ta humbë besueshmërinë e tij te vendet e Ballkanit Perëndimor:
“Reforma të tilla kanë nevojë për kompromise dhe kompromiset kanë nevojë për kohë. Ne do të bëhemi besëprerë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse deri atëherë do t’i lëmë në ngrirje të gjitha proceset e zgjerimit. Kjo duket më pak si një reformë e proceseve të brendshme sesa një përpjekje për të penguar zgjerimin”, është shprehur Leikert më tej për DW.
Po ashtu ajo kritikon edhe faktin që procesi është i prapakthyeshëm, në çdo hap të tij dhe vë në dukje pasojat negative që mund të sjellë një prapakthim i këtij lloji:
“Në dokumentin që vjen nga Parisi ka shumë ide të mira, por ka edhe shumë gjëra që nuk janë menduar deri në fund. Ka disa hapa integrimi thelbësore, si për shembull anëtarësimi në Bashkimin Bankar ose liritë e lëvizjes së personave, të cilat janë paraparë të ndodhin në një periudhë kur procesi i anëtarësimit është ende i prapakthyeshëm. Se cilat janë problemet dhe dëmet që vijojnë, kur zhbëhet një proces këtë e shohim më së miri tek Brexit-i. Duhet të shihet mirë nëse kjo do të funksionojë.”
Më parë edhe ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë i kishte thënë Deutsche Welle-s se reformimi i zgjerimit “nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Propozimi francez po diskutohet sot në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Nënkryetarja e grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestagun Gjerman, Katja Leikert, në një përgjigje dhënë Deutsche Welle-s është shprehur me kritika ndaj propozimit të qeverisë franceze për reformimin e procesit të zgjerimit.