Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vë në spikamë rëndësinë e qeverisjes së mirë për të siguruar ekonomi më të mira.
Raporti i “Tranzicionit 2019- 2020” që u publikua të martën, mban edhe titullin e tillë “Qeverisje më të mira – Ekonomi më të mira”.
Në raport theksohet se qeverisja e dobët është e dëmshme për tri arsye: krijon pasiguri, dëmton konkurrencën dhe krijon kushte të pabarabarta.
“#PoorGovernance give people sense of #injustice.
We think of governance as the rules of the game!” says @BJavorcik during the launch of #EBRDtr #BetterGovernance #BetterEconomies
Mes tjerash në raport theksohet se qytetarët e vendeve të BERZH-it ka shumë më shumë të ngjarë të synojnë emigrimin brenda vitit të ardhshëm, nëse vlerësojnë cilësinë e qeverisjes si të dobët.
“Në një vend të tillë si Shqipëria, për shembull, besimi i fituar rishtazi në synimin dhe aftësinë e qeverisë për të trajtuar korrupsionin, do të ketë të njëjtin efekt për sa i përket zvogëlimit të gjasave të një individi që të emigrojë, sikurse edhe rritja e pagës prej rreth 400 dollarësh në muaj”, thuhet mes tjerash në raport, në të cilin theksohet se “mesazhi i përgjithshëm është se ekziston një përfitim i rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror që mund të korrigjohet nga përmirësimet në qeverisje në vendet veç e veç, në rajone dhe në ndërmarrje. Kjo do të kërkojë vendosmëri, vizion dhe udhëheqje nga ana e qeverive kombëtare, udhëheqësve rajonalë, menaxherëve dhe sipërmarrësve njësoj”.
Shqipëria në raportin “Tranzicioni 2019 – 2020”
Në pjesën për Shqipërinë, raporti vë re se pas një rritjeje prej 4.1 për qind në vitin 2018, ekonomia u rrit me vetëm 2.4 për qind në gjysmën e parë të viti 2019, dhe se ngadalësimi është pasojë e prodhimit të dobët të energjisë.
Raporti vë re se borxhi publik mbetet i lartë dhe se gjatë vitit të kaluar, ky borxh, duke përjashtuar detyrimet e prapambetura, sillej në rreth 68 për qind të GDP-së.
Sektori bankar është në konsolidim e sipër thuhet në raport, ndërsa nënvizohet se në të njëjtën kohë, ka një zhvendosje të vazhdueshme të pronësisë larg bankave të eurozonës drejt pronarëve vendorë dhe të huaj, që nuk janë nga vendet e Bashkimit Evropian. Kreditë me probleme janë përgjysmuar që nga viti 2014, por ende mbesin në nivele dyshifrore.
Raporti i BERZH-it thekson se përparësi për vitin 2020 është nevoja e bizneseve të ligjshme për përpjekje të mëtejshme të qeverisë për të trajtuar informalitetin, i cili mbetet një nga pengesat kryesore në të bërit biznes.
Qeveria duhet të përqendrohet në përmirësimin e standardeve të qeverisjes fiskale dhe publike, thuhet në raport, në të cilin kërkohet vëmendje urgjente për përmirësimin e Partneritetit Publiko –Privat dhe forcimin e institucioneve e të sundimit të ligjit. Për më tepër, burimet e energjisë duhet të diversifikohen duke zvogëluar varësinë e vendit nga prodhimi i hidrocentraleve dhe duke vazhduar reformat për të përmirësuar qeverisjen dhe transparencën në sektorin e energjisë.
Përparësi për vitin 2020 sipas raportit duhet të jetë edhe përmirësimi i sektorit financiar, meqë siç thuhet, sektori bankar është i qëndrueshëm, por përballet me shumë sfida.
Kosova në raportin “Tranzicioni 2019 – 2020”
Në pjesën për Kosovën, raporti konstaton se rritja relativisht e fortë ekonomike ka vazhduar. GDP-ja u rrit me 3.8 për qind në vitin 2018 dhe 4.2 për qind në gjysmën e parë të vitit 2019, kryesisht e nxitur nga konsumi i i brendshëm.
Raporti konstaton se inflacioni është përshpejtuar. Inflacioni mesatar është rritur nga nën 1 për qind sa ishte në periudhën janar – tetor 2018 në mbi 3 për qind më pas, kryesisht i nxitur nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
Vendi ka shtuar luftën kundër ekonomisë joformale, thuhet në raport duke nënvizuar se në maj të vitit 2019, Kosova miratoi një strategji dhe plan veprimi të rishikuar për luftimin e kësaj dukurie për periudhën 2019-2023.
Ndër përparësitë për vitin 2020 raporti thekson nevojën e reformave në fushën e klimës së të bërit biznes me qëllim të përshpejtimit të rritjes së sektorit privat. Autoritetet e Kosovës duhet të rrisin luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, si dhe të lehtësojnë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke trajtuar kufizimet themelore ligjore dhe institucionale që dekurajojnë veprimtaritë e tyre. Konkurrenca e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duhet të mbështetet gjithashtu, pasi që bizneseve shpesh u mungojnë aftësitë dhe ekspertiza, thuhet në raport.
BERZH-i bën thirrje për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve në ndërmarrjet shtetërore. Mbikëqyrja financiare, qeverisja e korporatave, përgjegjësia dhe efikasiteti i këtyre ndërmarrjeve janë fusha që kanë nevojë për përmirësim dhe për me tepër thuhet në raport, duhet të përshpejtohet privatizimi i Ndërmarrjeve shtetërore jo strategjike.
Ndër përparësitë e Kosovës raporti renditë edhe masat emergjente që vendi të zvogëlojë varësinë pothuajse të plotë nga qymyri linjit për prodhimin e energjisë elektrike dhe të marrë masa për rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme. Po ashtu vendit i duhet një agjendë më e gjerë që përfshinë shfrytëzimin efikas të energjisë dhe përpunimin e ujërave të zeza, thuhet mes tjerash në raport.