Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, Sh.T.Z. George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Roberto Montella.
Kreu i Shtetit falënderoi Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje dhe angazhim edhe në të ardhmen në ruajtjen dhe forcimin e vlerave që Organizata dhe shtetet pjesëmarrëse mishërojnë.
Në lidhje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe rajonit, Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin e sinqertë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në lidhje me Kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së për vitin 2020, Presidenti Meta u shpreh se, Shqipëria ka mundësinë që të japë një kontribut thelbësor për Organizatën.