Ballina Bota BE miraton planet për prodhim të armëve të reja mbrojtëse

BE miraton planet për prodhim të armëve të reja mbrojtëse

Qeveritë e Bashkimit Evropian dhanë të martën dritën e gjelbër për 13 projekte të reja mbrojtëse, një hap që synon prodhimin e më tepër armatimeve në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas planeve, me të cilat ranë dakord ministrat e mbrojtjes të BE-së në Bruksel, do të fillojë puna për një anije të re patrullimi, një armë elektronike zhurmimi për avionët dhe teknologji për gjurmimin e raketave balistike.

Për negocimin e projekteve u deshën shumë muaj. Javën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron nënvizoi dëshirën për një bashkëpunim më të thellë në fushën e mbrojtjes mes vendeve të BE-së, duke thënë se aleanca mbrojtëse e NATO-s e drejtuar nga SHBA është “në vdekje klinike”.

Rreth 47 projekte të përbashkëta mbrojtjeje mes vendeve të BE-së janë tashmë në proces e sipër pas nënshkrimit të një pakti nga Franca, Gjermania dhe 23 qeveri të tjera të bllokut në fund të vitit 2017.

Pakti synon financimin, zhvillimin dhe stacionimin e forcave të armatosura nga këto vende pas vendimit të Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.

Çdo armë e re në tokë, det, ajër ose në hapësirën kibernetike mund të vihet në dispozicion të NATO-s, por vënia në pikëpyetje e rëndësisë së aleancës nga presidenti amerikan Donald Trump, i ka dhënë shtysë të re përpjekjeve evropiane të mbrojtjes.

Presidenti Macron ka shprehur dyshime lidhur me parimin bazë të NATO-s se një sulm ndaj një aleati është sulm ndaj të gjithëve.

Megjithatë, shumë aleatë evropianë e kundërshtojnë portretizimin që ai i ka bërë NATO-s, si një aleancë e vdekur. NATO-ja do të mbajë një takim të nivelit të lartë në Londër më 4 dhjetor.