Autoritetet irakiane e kanë ndërprerë internetin në Bagdad dhe në pjesën jugore të shtetit pas përleshjeve të reja mes policisë dhe protestuesve pranë ndërtesave qeveritare.
Organizata për siguri kibernetike, NetBlocks, njoftoi të martën se ky është kufizimi më i ashpër i internetit që është përdorur nga qeveria irakiane që nga fillimi i protestave më 1 tetor.
Ndonëse protestat civile dhe paqësore kanë qenë taktikat kryesore të kryengritjes që nga fillimi i kryengritjeve për rrëzimin e pushtetit, e hëna u përcoll edhe me përleshje të dhunshme.
Forcat e sigurisë përdorën plumba lufte kundër protestuesve në qendër të Bagdadit, ndërsa përleshje ka pasur edhe të martën.
Protestat u mbajtën para Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës Iraniane. Protestuesit hodhën gurë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe të shtëna armësh.
Që nga fillimi i protestave, rreth 270 njerëz janë vrarë. Shumica e viktimave janë protestues.
Në protestat që filluan para më shumë se një muaji po kërkohet luftimi i korrupsionit, përmirësimi i shërbimve publike dhe punësimi i rinisë.
Kryeministri i tanishëm ka premtuar se do t’i zbatojë disa reforma për t’i plotësuar kërkesat e protestuesve, por këta të fundit nuk janë të kënaqur me ofertën e pushtetit, shkruan “France24”.