Shtatzania është një proces që ka rregullat e veta që duhen zbatuar në mënyrë shumë strikte. Por kohët e fundit vihet re një shtim i numrit të femrave, që kanë një lloj papërgjegjshmërie në lidhje më krijesën që rritin brenda vetes.
Ka paciente që e kanë pirë duhanin dhe kur mësojnë për shtatzaninë, të thonë, a mund të pi dy tre cigare në ditë. Ti i thua 0 cigare në ditë. Kam patur paciente që gjatë vizitave më vinin me paketë cigaresh dhe thoshin, nuk mund të heq dorë doktoresha, kam hequr dorë nga shumë gjëra të tjera, duke të lënë të kuptoje, që mund të kishte përdorur lëndë narkotike më përpara”- tha mjekja gjinekologe, Enriketa Kroi.
Nënat kanë informacione të bollshme si nga mjeku edhe nga interneti lidhur me shtatzaninë.
“Ka ardhur në rritje numri i pacienteve që “nuk të dëgjojnë”. Ajo gota e verës, ai duhani, drogat psikotrope, përkthehen në beba të lindur me anomali, që janë një dhimbje jo vetëm për çiftin, por edhe për shoqërinë, edhe për mjekun, sepse asnjë mjek nuk do të donte që të sillte në jetë një fëmijë me anomali celebrale, të zemrës, të traktit gastrointestinal, të rrugëve urinare, të trurit etj”- shtoi Kroi.
Femra pëson ndryshime hormonale jo vetëm përgjatë 9 muajve, por edhe pas lindjes, me atë që njihet si depresioni postpartum.
“Ka një rritje të numrit të pacienteve, që marrin mjekim për probleme të shëndetit mendor, para apo dhe gjatë shtatzanisë. Medikamente për ankthin, depresionin. Pjesa më e madhe kanë marrë Xanax, Valium, i vazhdojnë ato edhe gjatë shtatzanisë.
Patjetër që ky mjekim duhet ndërprerë, nësë janë produkte psikotrope. Prandaj gjenden metoda alterenative, si psikoterapia, komunikimi i vazhdueshëm me psikologun, që ankthin e 9 muajve ta kalojë lehtë edhe depresionin postpartum gjithashtu. Personalisht kam patur shumë raste të tilla dhe jam shumë e kënaqur që ja kemi dalë”- u shpreh mjekja./TCH