Zagreb, Kroaci
Në vijim të vizitës së Tij shtetërore në Zagreb, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Kroacisë, Sh.T.Z. Andrej Plenković.
Kreu i Shtetit e falënderoi Kryetarin e Qeverisë kroate për mbështetjen e shkëlqyer dhe pa rezerva që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë.
“Marrja e Presidencës së BE-së për herë të parë nga Kroacia dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit, është një mundësi e shtuar për Shqipërinë dhe rajonin në funksion të perspektivës europiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Presidenti Meta dhe Kryeministri Plenković ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit është e vetmja alternativë e së ardhmes sonë të përbashkët.
Liderët ranë dakord se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të ngrihet në të njëjtin nivel me partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer politik.
Presidenti Meta theksoi se lidhja direkte ajrore Tiranë-Zagreb do t’i shërbente forcimit të këtij bashkëpunimi, si dhe ndërlidhjes mes nesh.
Presidenti Meta shprehu gjithashtu kënaqësinë që komuniteti shqiptar në Kroaci përfaqësohet në Parlamentin kroat me deputeten, znj. Ermine Lekaj Prljaskaj, një tjetër tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.
Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e liberalizimit sa më parë të vizave mes BE-së dhe Kosovës për t’i dhënë fund izolimit të pamerituar të qytetarëve të saj.