Ballina Ravijëzime LURA LAKURIQE – Nga Irena VLADI MAY – Florida, SHBA

LURA LAKURIQE – Nga Irena VLADI MAY – Florida, SHBA

“Lurë e dashur, Lura ime”

Thotë gjithsecili në fjalime

Por kur koha është të mbrojnë

Të gjithë tek gjepi plot vrapojnë.

 

Sa fjalë boshe, ligjërime

Ke dëgjuar gjer më sot

Sa bij e bija të janë vrarë

Në hakmarrje e zënka kot?

 

Sa gjak është derdhur në tokën tënde

Në shtëpi, në rrugë, në shesh

Je e lyer kuq e zi

Vajzat e tua me hundë përshesh.

 

Sa nipër mbesa kurrë nuk do njohësh

Se prindërit larg kanë shtegtuar

Në të gjithë botën janë shpërndarë

Për një copë bukë kanë emigruar.

 

Ty të mbajnë të gjithë në gojë

Por të ruajë asnjë nuk di

Të kanë vjedhur e poshtëruar

Në ç’do anë çdo bukuri.

 

Të kanë rrjepur, të kanë vrarë

Shpirt e trup të kanë shëmtuar

Të kanë bërë si vend të shkretë

Me pyjet tua janë paguar.

 

Dhe ata që s’të kanë vrarë

Dorën se vënë të ndihmojnë

Kanë ndenjur më anë duke parë

Thonë; “Nuk dimë si të veprojmë”.

 

Një hap njeri se hedh përpara

Drejt mirëqënies e drejtësisë

Se ryshfeti mbizotëron

Në ç’do derë të Shqipërisë.

 

Sa e humbur më je dukur

Kur pas shumë kohësh të kam parë

Si një varr i shkretë mu duke

S’ka gëzim, vetëm të qarë.

 

Ti gjithmonë je masakruar

Që në lindje, nga çdo njeri

Por më keq ti je trajtuar

Ka njëzet vite, deri tani.

 

Malet gjithmonë të përcëlluara

Mbaj mend unë në fëmijëri

Dhe ato që lashë, sot s’janë më

Të kanë bërë qymyr e hi.

 

E pa rrugë e pa lidhje

As me botë as kryeqytet

Kush të ngrihet më i pari

Për dy lekë t‘vjetra ty të shet.

 

Kur u ktheva pas dy dekadash

Të kam gjetur lakuriq

Male fusha janë rraskapitur

Burrat e tu rrinë këmbëkryq.

 

Adhurojnë zot e perëndi

Por dhunojnë fëmijët e tyre

Rrahin gratë në shtëpi

Si të jenë lecka i kanë për he.

 

Mbajnë fjalime kot më kot

Kështu ata të nderojnë ty

Pushtetarë e bij të Lurës

Mblidhen kuvendeve si minj të zi.

 

Dhe të quajnë “Perlë të Evropës”

Të verbrit me dy sy

Të kanë rrjepur si pulë në valë

Të kanë bërë varr të ri.

____________________

Irena Vladi May ka lindur në Tiranë dhe u largua nga Shqipëria në dimrin e vitit 1997. Ajo lëvizi në Florida në vitin 2003, ku jeton dhe sot me katër fëmijët, burrin dhe macën e saj Amora.

Kjo poezi është marrë nga libri poetik i autores “Kur unë të kthehem”, botuar në Amerikë dhe, kohët e fundit edhe në Shqipëri, me përmbledhje të disa prej poezive të saj nga shkolla e mesme (që i shpëtuan zjarrit) dhe disa të vetme vitet e fundit për të përfunduar librin e saj. Ajo u betua në verën e vitit 1999 se nuk do të shkruante poezi në shqip për të protestuar kundër dhimbjes që i shkaktoi vendi i saj i lindjes. Me gjuhën e prerë dhe zemrën të thyer ajo emigroi jashtë vendit ku nuk u kthye për të vizituar për 17 vite rrjesht.

Libri i saj i parë me poezi titullohet “When I Am Done I Will Rest My Case” që është botuar në USA. në anglisht përmes Amazon, në letër, dhe e-libër në Kindle, gjithashtu në Barns dhe Noble. Libri i saj mund të blihet përmes Amazon në Amerikë, Angli, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë dhe Japoni.

Ajo është duke përfunduar librin e saj të tretë me poezi: “The Girl With A Single Pearl” si dhe librin për fëmijë “Sharky McTarky.” Gjithashtu ka përfunduar edhe libra të tjerë për fëmijë që janë në ilustrim dhe do të shkojnë në publikim së shpejtë.

Ju mund ta kontaktoni me email: irenaflux@gmail.com