Ballina Aktualitet Federica Mogherini dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Federica Mogherini dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Shefja në largim e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të takoj sonte në një darkë të përbashkët joformale udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe mundësitë për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, bisedime këto që janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Zonja Mogherini e cila është në përfundim të mandatit të saj pesë vjeçar në krye të diplomacisë së Bashkimit Evropian, ishte përfshirë drejtpërdrejt në mundësinë e arritjes së një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Por, a ka dështuar zonja Mogherini në punën e saj si lehtësuese e bisedimeve Kosovë-Serbi?

Analistët në Prishtinë thonë se zonja Mogherini nuk kishte mbështetjen e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian për të çuar përpara bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe se sipas tyre në këtë proces kanë dështuar shtetet e mëdha evropiane.

“Kam parasysh këtu Gjermaninë dhe Francën, qëndrimet e tyre të ndryshme në këtë kontekst kanë ndikuar që rezultatet e veprimeve dhe aktiviteteve të zonjës Mogherini të prodhojnë rezultate jo të mjaftueshme për të arritur qëllimin final që ka qenë pra marrëveshja Kosovë-Serbi, por kam parasysh që ky nuk mund të quhet dështim drejtpërdrejt i zonjës Mogherini por më shumë është dështim i Bashkimit Evropian në tërësi sepse kjo flet për faktin se kemi qëndrime të ndryshme të shteteve të BE-së dhe këto qëndrime pastaj kanë ndikuar edhe në dobësimin e vet pozicionit fasilitues apo ndërmjetësues të zonjës Mogherini në këtë dialog”, thotë Labinot Greiçevci nga Instituti RIDEA.

“Zonja Mogherini përkundër vullnetit nuk ka gjetur mbështetje të fuqishme brenda Bashkimit Evropian dhe akterëve tjerë për ta shtyrë këtë proces më fortë dhe ajo që është më e rëndësishme Kosova e Serbia nuk kanë qenë gati për marrëveshje të tillë, për një process të shpejt për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha Naim Rashiti nga Grupi Ballkani për Hartimin e Politikave.

Gjatë mandatit të zonjë Mogherini, Kosova e Serbia në gusht të vitit 2015 ishin pajtuar mbi parimet e përgjithshme dhe elementet kryesore të asociacionit të komunave me shumice serbe, për zbatimin e marrëveshjes për energjinë dhe për telekomin si dhe për urën kryesore në Mitrovicë. Që nga ajo kohë zonja Mogherini ka lehtësuar bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë por pa arritur që të bindë palët drejt një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet tyre.

Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Hartimin e Politikave thotë për Zërin e Amerikës se ishte mungesa e rezultateve në samitin e Berlinit dhe nismat tjera që nuk arritën të frymëzojnë Kosovën e Serbinë për bisedime të mirëfillta.

“Është një lloj dështimi i BE-së në paketë dhe zoti Borel kur ta marr detyrën duke parë se si ka dështuar zonja Merkel në Samitin e Berlinit në prill apo si dështoi presidenti Macron do të jetë shumë i kujdesshëm që të mos hyjë një agjende e cila nuk sjellë rezultate. Besoj që ai do t’i kthehet qoftë përmes emërimeve të deleguarve special, do t’i kthehet procesit të zakonshëm të dialogut siç edhe ka filluar në fillim, etapë pas etape, marrëveshje pas marrëveshje të zgjasë nja dhjetë apo 15 vjet ky proces”, tha zoti Rashiti.

Labinot Greiçevci nga Instituti RIDEA thotë mungesa e rezultateve nga Bashkimi Evropian ka shtyrë administratën amerikane që të përfshihet më shumë në gjetjen e një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“E ky rezultat që e kemi pasur deri më tash normalisht do të ketë ndikim besoj negative edhe në punën e zotit Borel pra përfaqësuesit të ri për politikë të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe normalisht do të pritet nga administrata e SHBA-ve respektivisht nga zoti Palmer dhe zoti Grenell në një formë apo tjetër do të thotë t’i prijnë këtij procesi eventualisht për të arritur tek një draft-marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë”, tha Greiçevci.

“SHBA-të me të drejt kanë frikë sepse ekziston një analizë e përbashkët e BE-së dhe SHBA-ve se Ballkani Perëndimor jashtë procesit të integrimit shfaq rrezik të madh dhe mbi këtë analizë SHBA po angazhohet për të provuar për të zgjidhur çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi apo konfliktin Kosovë-Serbi, urojmë të ketë sukses por në këtë rast mungon karota kryesore, perspektiva evropiane e cila sjellë qëndrueshmëri të paqes, zhvillimit dhe prosperitetit për Ballkanin Perëndimor dhe i gjithë koncepti ishte ndërtuar kështu”, tha zoti Rashiti.

Kosova aktualisht gjendet përballë sfidës së krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të mbajtura më gjashtë tetor. Qeveria e re që pritet të dal pas procesit të certifikimit të rezultateve, do të përballet posaçërisht në gjetjen e rrugës për të ripërtërirë bisedimet me Serbinë.