Ballina Aktualitet Pence: SHBA-Turqi bien dakort për armëpushim në Siri

Pence: SHBA-Turqi bien dakort për armëpushim në Siri

Turqia ka dakord për pesë ditë armëpushim në verilindje të Sirisë për të lejuar tërheqjen e forcave kurde. Lajmi u bë i ditur të enjten nga Nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan.

Pak përpara konferencës për shtyp Presidenti Trump shkruante në një postim në twitter : “Lajme të shkëlqyera nga Turqia. Faleminderit Erdogan. Miliona jetë do të shpëtohen!”

Zoti Pence udhëtoi drej Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde. Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Zoti Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Zoti Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson “të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike”. Përpara takimit në Ankara, zoti Trump shprehej i bindur se zoti Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit.