Ballina Aktualitet Më shumë bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit!

Më shumë bashkëpunim mes vendeve të Ballkanit!

Emigracion masiv, infrastrukturë e dobët, rroga të ulta: Vendet e Europës Juglindore si anëtaret edhe ato kandidate kanë shumë probleme të përbashkëta. Pse është kaq e vështirë atëherë të gjenden zgjidhje të përbashkëta?

Lajmet e këqija vijnë nga Brukseli, të mirat nga qeveria jote: Që shumë vende anëtare të BE e kanë bërë metodë këtë dihet prej kohësh. Ndërkohë kjo është kthyer në një taktikë të preferuar edhe në periferinë e Bashkimit Europian, dhe adaptohet edhe nga vende, që duan të hyjnë në BE. Kujtoni për shembull vendosjen e doganave 100% që Kosova vendosi kundër produkteve serbe, si reagim ndaj përpjekjeve të Beogradit që bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol. A ka diçka më shumë që bie ndesh me frymën europiane se vendosja e doganave arbitrare dhe pengimi i një bashkëpunimi në fushën e sigurisë? Më shumë se kaq: qytetarët e secilit vend i mbështesin këto hapa.

Luftë politike për pushtet në vend të pajtimit

Një shembull tjetër: Bullgaria kërcënon me veto kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut. Njësoj si Greqia, që e bllokoi në institucionet ndërkombëtare fqinjen e saj të vogël 28 vite rresht, Bullgaria kënaq dëshirat populiste dhe kërkon, që Shkupi të rimendojë qëndrimin e tij ndaj së shkuarës. „Casus Belli”- rasti për luftë është përkatësia e revolucionarit, Gotze Delchev, i lindur në Perandorinë Osmane, bullgar etnik dhe themelues i lëvizjes revolucionare maqedonase. Një komision i përbashkët me historianë i të dy vendeve duhet të sqarojë më në fund këtë temë, dhe arriti në përfundimin, se të dyja vendet kanë ndarë një trashëgimi në mesjetë. Por është modernja ajo që del si barrierë, sepse një komb i pavarur maqedonas del brenda kuadrit të Jugosllavisë socialiste. Sofia refuzon me forcë të njohë këtë komb. Por si vjen puna deri këtu? Në Bullgari zhvillohen jo larg zgjedhje lokale, dhe ekstremistët e djathtë, të lodhur nga pjesëmarrja në qeverinë e koalicionit, kërkojnë armiq dhe mesazhe politike.

Tjetra: Për shkak të armiqësive në të dy etnitetet e Bosnje-Hercegovinës nuk është i mundur pajtimi dhe bashkimi i këtij vendi me probleme. Përveç kësaj në rrugën drejt BE ka një luftë konkurrence mes vendeve kandidate, që ndezin ndjenjat negative kundër fqinjit: Kush është më afër qëllimit, Maqedonia e Veriut apo Shqipëria?

Vendet e Ballkanit bazohen tek BE për të konsoliduar shtetet e tyre

Rëndësia e integrimit europian kthehet në kundërtën e asaj që do të arrijë: Në vend që të përpiqen për kapërcimin e diferencave kombëtare përmes bashkimit të burimeve ekonomike, (si shtetet themeluese të BE në vitet 50-të) vendet e Ballkanit bazohen tek BE për konsolidimin e shteteve të tyre dhe legjitimimin e elitave të veta politike. Këto vende të vogla janë krijuar si akt distancimi me fqinjët dhe me ndihmën e „sponsorëve” gjeopolitikë në kohën rreth Luftës së Parë Botërore, nga vjen edhe nocioni i „ballkanizimit”. Forca shtytëse në drejtim të bashkimit vjen nga jashtë: nga Antanta në rastin e Jugosllavisë së pasluftës, Pakti i Varshavës dhe NATO dhe tani nga projekti europian i „Procesit të Berlinit” të vitit 2014, i cili nxit integrimin përmes ndihmave financiare.

A mundet Ballkani ta shohë si të rëndësishëm këtë integrim edhe pa nxitje nga jashtë? Për këtë qëllim duhet të ndalim njëherë ta ndajmë rajonin në vende anëtare dhe vende kandidate, sepse këto vende janë shumë të ngjashme. Rrogat mesatare janë afër 400-600 euro në muaj, në Greqi dhe Kroaci disi më të lrta. Vendet anëtare të BE, Bullgaria dhe Rumania në këtë drejtim kanë vetëm pak dallim nga vende kandidate si Serbia e Mali i Zi. Infrastruktura është kudo e dobët, proteksionizmi kombëtar pengon shpesh tregtinë dhe investimet, turizmi është një degë e rëndësishme e ekonomisë për rajonin. Për shkak të emigracionit masiv ka boshllëqe të mëdha në tregun e punës. Shumica e valutave ose janë të dobta, ose të lidhura me euron, si Mali i Zi dhe Kosova, megjithëse nuk janë pjesë e eurozonës. Dhe akoma nuk kemi filluar me të përbashkëtat në muzikë, kulinari, gjuhë dhe zakone…

Ivaylo Ditchev

Politikanët kanë ngecur në shekullin e 20-të

A nuk mund të jenë këto ngjashmëri baza e një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal? Së fundmi Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut diskutuan për një „zonë Sengen” mes tre vendeve. Pse të mos i bashkohen Bullgaria dhe Rumania një grupimi të tillë? Për shkak të standartit të ngjashëm, nuk do të kishte lëvizje masive të njerëzve nga një vend në tjetrin. Qarkullimi në kufij dhe tregtia do të përfitonin nga kufijtë e hapur. Por dy vendet e tjera, Bullgaria dhe Rumania ndjehen më superiore, e mendojnë se po të hyjnë në këtë „Shengen” të vogël, nuk do të jenë më pjesë e Shengenit të madh europian. Ndërkohë që është e kundërta: Sa më shumë bashkëpunim rajonal aq më e lehtë është të jesh pjesë e një Europe më të madhe. Forma të afërta të bashkëpunimit do të ishin të mundura në fusha të tjera, edhe pa pritur rekomandimet e BE – në transport, mbrojtjen e mjedisit, komunikim, sektorin bankar.

Ky vizion mund të zhvillohej më tej në një grup rajonal, si Këshilli Nordik, Asambleja Baltike, Beneluksi apo grupit i Vishegradit, që angazhohet edhe për interesat e Ballkanit. Kjo do të përshtatej në një gjeometri të re të „rrathëve koncentrikë” në BE, që duket se po kristalizohet tani. Ballkani nuk do të jetë në qendër të rrathëve, por as në një pozicion të përjashtuar. Pse është kaq i vështirë një bashkëpunim i tillë rajonal?

Në mes të tjerave për shkak të rivaliteteve mes Bullgarisë dhe Serbisë, apo përpjekjet e Greqisë dhe Serbisë për të marrë një rol drejtues. Përveç kësaj Kroacia dhe Rumania refuzojnë të shihen si vende ballkanike. Nga SHBA dhe Rusia vijnë ndikime kundërshtuese, dhe populistët akoma vazhdojnë të thërrasin fantazmat e së shkuarës. Në rajonin e Ballkanit politikanët kanë një rëndësi të veçantë krahasuar me qytetarët dhe sipërmarrjet. Ata kanë frikë, se në botën e sotme do të ishin pa vlerë, prandaj preferojnë të mbeten më mirë në shekullin e 20-të.

Ivaylo Ditchev është profesor për antropologjinë kulutore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë leksione ndër të tjera në Gjermani, Francë, dhe SHBA.