Ballina Aktualitet Donald Trump përgatit sanksione kundër Turqisë

Donald Trump përgatit sanksione kundër Turqisë

SHBA përgatitet për masa të forta ndëshkuese kundër Ankarasë, ndërkohë Turqia bën të ditur vënien nën kontroll të qytetit, Ras al-Ain. Për herë të parë, ushtarët amerikanë u vunë nën breshërinë turke.

Turqia vazhdon operacionin ushtarak në Sirinë veriore. Ky vend bën të ditur të shtunën vënien nën kontroll të qytetit, Ras al-Ain. Por kurdët e mohojnë këtë njoftim.

Ndërkohë të shtunën bëhet e ditur, se presidenti Donald Trump ka porositur ministrin e Financave, Steven Mnuchin për të vendosur sanksione kundër partnerit të NATO-s, Turqisë, ka konfirmuar, Mnuchin para gazetarëve.

Ministri i Financave, Steven Mnuchin

 

„Ne mund ta paralizojmë ekonominë turke”

Bankat janë informuar, që mund të ketë masa ndëshkuese, sipas Mnuchin. Trump pritet të nënshkruajë një dokument, që i lejon ministrit të Financave, në ujdi me presidentin dhe ministrin e Jashtëm të vendosin sanksione „kundër çdo personi me lidhje me qeverinë turke”. „Këto janë sanksione të ashpra, shpresoj që të mos arrijë deri aty sa t’i vendosim ato”, tha Mnuchin. „Nëse duhet, ne mund ta paralizojmë ekonominë turke”.

Presidenti amerikan është i shqetësuar për vazhdimin e ofensivës ushtarake turke në Sirinë Veriore dhe sulmeve potenciale ndaj objektivave civilë. Po ashtu është „e detyrueshme” që Turqia të mos lejojë, që të dalë nga burgu qoftë edhe një luftëtar i vetëm i të ashtuquajturit, „Shteti Islamik”.

Ushtarë amerikanë nën breshërinë turke

Në të njëjtën kohë me deklaratat e ministrit të Financave të SHBA, u vunë për herë të parë në breshërinë turke trupat amerikane në qytetin sirianoverior, Kobane. Sipas Pentagonit nuk ka të lënduar. „Forcat amerikane nuk janë tërhequr nga Kobane”, tha zëdhënësi i Pentagonit. Shtetet e Bashkuara janë të vendosura kundër ofensivës turke, dhe sidomos kundër operacioneve turke në „ato zona, ku me dijeni të turqve ndodhen ushtarë amerikanë.”

Atentat i IS-it

Edhe në Bashkimin Europian po mendohet për sanksione kundër Turqisë. Suedia foli hapur për një embargo të armëve kundër këtij vendi. Trupat turke janë futur për herë të tretë në territorin sirianoveror. Operacioni drejtohet kundër aleancës së rebelëve SDF, të lidhur me milicët kurdë të YPG-së. Shtetet perëndimore janë të shqetësuara, se për shkak të ofensivës, mijëra terroristë të kapur të IS-it do të mund të dalin nga burgjet kurde, që mund të çojë në riforcimin e IS-it. Terroristët e IS-it ndërkohë kryen një atentat në një rajon kurd. Në qytetin Kamishli, në lindje të Sirisë Veriore një bombë shpërtheu para një restoranti. Tre civilë u vranë, dhe nëntë vetë u plagosën. IS deklaroi, se sulmi i adresohej luftëtarëve kurdë. Autoritetet kurde janë shprehur, se 5 terroristë të IS-it kanë arritur të dalin nga një burg në Kamishli gjatë bombardimeve turke.

Pavarësisht kërcënimeve për sanksione, presidenti Erdogan nuk do ta ndërpresë operacionin ushtarak. „Ne nuk do të tërhiqemi”, siguroi Erdogan në një fjalim në Stamboll. „Ne do ta vazhdojmë këtë luftë, derisa të gjithë terroristët të zhvendosen 32 kilometra në jug të kufirit tonë.” Turqia kërkon të krijojë një „zonë sigurie” 30 kilometra në brendësi të Sirisë dhe kërkon largimin e milicëve kurdë nga kjo zonë.

la/se/lh (rtr, afp, dpa, ap)