Ballina Kulturë Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë

Shpallen fituesit e Çmimit Nobel në Fizikë

Tre shkencëtarë u nderuan me çmimin Nobel në fizikë lidhur me punën e tyre për për të kuptuar “evolucionin e universit dhe vendin që zë Toka në univers”.

Komisioni Nobel njoftoi të martën se gjysma e çmimit prej 918,000 dollarësh shkon për shkencëtarin kanadezo-amerikan James Peebles, për shkak të kontributit të tij për të kuptuar se si ka evoluar universi prej fazave të hershme të tij në ditët e sotme.

Sipas komisionit zoti Peebles ka kontribuar në përparimin e kornizës që ka formuar “bazat e ideve bashkëkohore rreth universit”.

Gjysma tjetër e çmimit u shkoi shkencëtarëve zviceranë Michel Mayor dhe Didier Queloz.

Në 1995-n ata njoftuan zbulimin për herë të parë të një planeti jashtë sistemit tonë diellor që rrotullohej rreth një ylli të tipit diellor.

Që atëherë, studiuesit kanë gjetur më shumë se 4,000 planete që rrotullohen rreth yjeve që ndodhen jashtë sistemit tonë diellor, në galaktikën e Rrugës së Qumështit.

“Falë shumë projekteve të planifikuara për të nisur kërkimin mbi planetet jashtë sistemit tonë diellor, mund të gjejmë përfundimisht një përgjigje rreth pyetjes së kahershme nëse egziston jetë diku gjetkë”, thanë anëtarët e komisionit.