Rreth 60 për qind e shkëmbinjve koralorë të botës po kalojnë periudha të vështira nga temperaturat e larta. Në këtë përfundim arrin grupi jo-fitimprurës Rrjeti për Korale të Shëndetshme. Studimet e reja tregojnë sa të dëmshme kanë qenë dy valë të nxehti që goditën gjatë viteve të fundit brezat koralorë në Oqeanin Indian.
Në 2015 dhe 2016 Hemisfera e Jugut u godit nga dy valë të nxehti njëpasnjë, të shkaktuara nga fenomeni natyror El Nino.
Kjo periudhë shumë e nxehtë shkaktoi dëme të konsiderueshme në disa breza delikatë koralorë në Oqeanin Indian:
“Kemi humbur deri në 50% të koraleve në 2016. Kryesisht koralet degëzuese, për shembull akroporat,” thotë Leo Barret i Shoqatës për Mbrojtjen e Jetës Nënujore.
Koralet akropora janë një element i rëndësishëm për ndërtimin e brezave koralorë.
Valët e të nxehtit ndodhin edhe pa pasur ngrohje globale, por në ato kushte brezat koralorë kanë plot vite për ta rimarrë veten.
Catherine Head e Shoqatës Zoologjike në Londër thotë se realiteti i ri i ndryshimeve klimatike i bën valët e të nxehtit më të shpeshta dhe më të rënda:
“Nëse këto valë bëhen më të shpeshta siç është parashikuar, brezat koralorë nuk do të kenë mundësi të rimëkëmben”, thotë ajo.
Zonja Head ka qenë pjesë e një ekipi që vizitoi kohët e fundit brezat koralorë në Oqeanin Indian për të matur dëmet e shkaktuara nga goditjet e motit të nxehtë.
“Koralet me brirë për shembull që njihen si specie që përhapet shumë, ishin dëmtuar rëndë. Rreth 86% e këtyre koraleve ishin prekur nga vala e të nxehtit, ndërsa disa lloje të tjera nuk kishin pasur shumë pasoja”, thotë zonja Head.
Studiuesit shqetësohen se me humbjen e koraleve do të zhduket edhe një numër i konsiderueshëm i gjallesave të oqeanit.
“Do të shohim rënie të larmisë së peshqve dhe të butakëve si dhe ndoshta tkurrje të kompleksitetit në strukturën e koraleve. Disa korale krijojnë më shumë shtresa kalcike se të tjerët. Falë kësaj vetie krijohen këto struktura integrale, shumë interesante,” thotë zonja Head.
Megjithë përpjekjet për të ringjallur brezat koralorë, ato gradualisht po zhduken.
“Ka parashikime që flasin për një zhdukje funksionale të brezave koralorë brenda vitit 2050 nëse çlirimi i gazeve karbonike vazhdon me këto ritme. Por çdo gjë varet nga masa e reduktimit të këtyre gazeve, ashtu siç e parashikoi Marrëveshja e Parisit për të mos lejuar rritje të temperaturave në dete më shumë se 2 gradë celcius,” thotë zonja Head.
Për momentin, shkencëtarët thonë se bota nuk po bën sa duhet për të parandaluar një rritje shkatërrimtare të temperaturave në dete.