Ballina Aktualitet Mali i Zi po kërkon t’i rrënojnë stanet e Shqiptarëve të Kosovës...

Mali i Zi po kërkon t’i rrënojnë stanet e Shqiptarëve të Kosovës në bjeshkën e Ishtedimit në Rrozhajë (!)

Këto stane në bjeshkën e Ishtedimit në Rrozhajë, në lartësi mbi 2 mijë metra katërore, që disa sish i shihni në foton e masipërme, i kanë trashëguar shqiptarët e Kosovës ndër brezni, nga stërgjyshërit e tyre, të cilat në vitet e fundit edhe i kanë rinovue ato, në mënyrë që t’i vizitojnë kohë-pas-kohe dhe të jetojnë në to për verime e pushmore në kushte sa ma bashkëkohore.

Në ditët e fundit, ndërkohë që stanet janë të vetmuara nga banorët e tyre trojenikë, zyrtarë lokal apo qendror të Malit të Zi kanë shkuar atje dhe kanë vendos në dyert e tyre “ultimatume” shkrimore me afat kohor për prishjen e tyre me eskavator, për rrafshimin e tyre deri në themelet trojenike shqiptare, pasi shteti malazez e ka projekt të përshpejtuar ndërtimin e atyshëm të një qëndre skijimi (për ski) për skijatorë e vizitorë, edhe turistë të huaj.

Pronarët e staneve e të tokës bjeshktare në Ishtedim pohojnë për masmediat e Kosovës se çështjen pronësore e kanë për gjykim në Gjykatën Supreme të Malit të Zi, po ende nuk kanë marrë një vendim prej saj; se po kërkojnë të marrin dhe disa dokumentacione shtesë në arkivat e Turqisë për këto troje të bleme me lira e dukat; se kanë pasë marrëveshje të hershme me shtetin e Jugosllavisë së dikurshme për toka e kullosa për shkak të tatimeve shtetërore jugosllave; se ka pasë raste dhe ndonjë riblerje pronësore të tyre, etj., etj.

Shqiptarët e Kosovës, që i kanë të tyret këto prona e stane në bjeshkën e Ishtedimit në Rrozhajë, po i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjnë sa ma energjekisht e urgjentisht pranë Qeverisë së Malit të Zi për zgjidhjen e cështjes së tyre që rrezikojnë t’iu rrënohen stanet bjeshktare nga shteti malazez. Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thanë për T-7 në Kosovë, se është i njoftuem nga banorët për këtë çështje të tyre dhe ka pohuar zyrtarisht e publikisht: “Ajo (bjeshka) është në territor të Malit të Zi, ka disa vështirësi në mënyrë e shfryzimimit….duhet m’u arritë një marrëveshje mes Kosovës dhe Malit të Zi, ende nuk kam ndërmarrë proçedurat dhe ende s’kam arritë me e zgjidhë problemin”. Gjithashtu, Qeveria e Malit të Zi ende nuk iu ka kthye përgjigje plotore asnji institucioni zyrtar të Kosovës, as ndonjë masmedia si T-7, as vet shqiptarëve trojenikë të bjeshkës së Ishtedimit në Rrozhajë.

Sigurisht, “Çështja Ishtedimi” nuk është aq e lehtë saç duket me kaq sa themi e me ato çka ka ndodhë e pritet të ndodhin së shpejti, pasi në të tilla raste gjykimi e veprimi kemi praktika e përvoja të hidhura kombëtare, pasoja të mëdha ndaj Shqiptarëve të Kosovës si me Çakorrin e Kullën. Gjithashtu, Shqiptarët e Kosovës, që e dijnë e ndjejnë veten e tyre trojenik pronësor në bjeshkën e Ishtedimit në Rrozhajë, duke e ditë se çka e qysh ndodhi me Çakorr e Kullë, kanë pasë kohë të mjaftë me u marrë sigurimin e dokumentave përkatëse e me zgjidhje ligjore të problemit të tyre të tokës e staneve në këtë bjeshkë, tashma në territorin e Malit të Zi. Njëkohësisht, edhe shteti i Malit të Zi ia ka gjuejt kohën ma të përshatshme për me u marrë me këtë çështje, sepse Kosova është në ditët finale elektorale e tuj i ndrrue pushtetet e qeverisjes së saj, por dhe stanet kanë qënë të vetmueme nga banorët e “pusullat ultimatume” të shtetit malazez kanë mujt me i pa vetëm zogjtë e kafshët e malit apo ndonji kalimtar i rastit.

Sidoqoftë,  Shqiptarët e Kosovës që kanë pronat e veta me toka e stane bjeshktare në Ishtedim të Rrozhajës duhet me u bashkue ma mirë e ma fort se anjëherë e me kërkue të drejtat e veta ligjore e pronësore të pretenduara prej tyre, duke sigurue me emergjenci dokumentacionin përkatës në Turqi e kudo tjetër; duke e ndjekë çështjen në rrugë gjyqësore në Gjykatën Supreme të Malit të Zi me avokatë të kalibrit të lartë; duke ua ba të njohur edhe Ndërkombëtarëve në Kosovë e Bruksel – në linjat BE e NATO – çështjen e tyre në proçes e me rrezikshëmri të marrjes e damtimit të pronave të tyre; duke ua ba të ditun shtetit malazez në Çetinë e Podgoricë se çështjen e pronave të tyre tokë e stane në bjeshkën e Ishtedimit në Rrozhajë do ta ndjekin deri në Gjykatën e Strasburgut. Nuk është koha e pushkës dhe as e istikameve, por e penës dhe e lapsit, me ecë me mend në kokë e me kambë në tokë edhe “Çështjen e Ishtedimit”, kësaj bjeshke në Rrozhajë, një nga bjeshkët ma të bukura të Alpeve Shqiptare në katështetshin ballkanik. /Rali LURA/