Ballina Kuriozitete Ndodh edhe kështu! Kjo kompani paguan punonjësit për të shkuar me pushime

Ndodh edhe kështu! Kjo kompani paguan punonjësit për të shkuar me pushime

Një bonus prej 7,500 dollarësh, kundrejt një kushti të vetëm: të harroni për disa ditë e-mailet dhe projektet e ndryshme në punë, sepse vendosja e një ekuilibri ndërmjet kohës së lirë dhe punës është thelbësore për të pasur një mënyrë jetese sa më të shëndetshme.

Ka kompani të cilat ia vështirësojnë jetën punonjësve të tyre kur bëhet fjalë për marrjen e pushimeve vjetore, ka të tjera që asnjëherë nuk e diskutojnë këtë pjesë, por ka edhe nga ato që janë gati t’i japin bonuse punojnësve të tyre duke i detyruar këta të fundit të ikin me pushime. Kjo është kompania shumëkombëshe amerikane FullContact, e cila prej shumë pak kohësh ka vendosur që t’i japë punonjësve të saj një bonus prej 7,500 dollarësh të cilin ata duhet ta shfrytëzojnë për të shkuar me pushime.

E pabesueshme? Aspak. Sipas, Bart lorang, CEO dhe themelues i FullContact, një politikë e tillë do t’i ndihmojë punonjësit që të jenë sa më produktivë dhe mbi të gjitha të mos duan të largohen asnjëherë nga kjo kompani. Por kujdes, një bonus i tillë i jepet vetëm atyre punonjësve që pranojnë se nuk do të kontrollojnë e-mailet dhe çdo mesazh që ka lidhje me punën gjatë kësaj periudhe pauze që ata do të bëjnë.

Ndërsa sa i takon përdorimit të pajisjeve teknologjike, nuk ka asnjë klauzolë që e shoqëron këtë politikë, por sipas z. Lorang, në mënyrë të tillë që këto pushime të shfrytëzohen sa më mirë të jetë e mundur dhe punojësit e tij të pushojnë plotësisht, ai këshillon përdorim sa më të reduktuar të tyre. Por kompania nuk ndërhyn në asnjë mënyrë se ku dhe se kur punonjësit vendosin që ta bëjnë këtë periudhë pauze.

Bonusi prej 7,500 dollarësh do t’i jepet edhe atyre punonjësve që vendosin ta shpenzojë këtë kohë në divanin e shtëpisë së tyre. Por, ideja është që pasi punonjësi ta ketë marrë këtë bonus, kur të kthehet në punë, duhet të sjellë me vete edhe fotot e pushimeve, për t’ia treguar të gjithë kolegëve të tjerë.

E gjithë kjo nismë po bëhet për të promovuar një mënyrë jetese të shëndetshme në të cilën jeta profesionale dhe ajo personale janë në ekuilibër me njëra-tjetrën.