Ballina Bota BE është skeptike me planin e ri britanik për Brexit-in

BE është skeptike me planin e ri britanik për Brexit-in

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë shprehur dyshime, nëse propozimet e fundit britanike për Brexit-in, mund të prodhojnë një marrëveshje përpara afatit të 31 tetorit.

Agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se BE-ja ishte e kujdesshme, për të mos hedhur poshtë propozimet shumë shpejt, dhe të dyja palët po tregohet të matura për të shmangur çdo fajësim, nëse procesi i Brexit-it përfundon me një përplasje mes palëve.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të bisedojë përmes telefonit me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, dhe liderë tjerë evropianë.

“Ajo që ne po kërkojmë është që BE-ja të angazhohet pozitivisht në këtë proces, në mënyrë që të mund të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.

Negociatorët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe do të takohen më 4 tetor për të diskutuar propozimin e ri britanik, edhe pse zyrtarë të BE-së tashmë e kanë bërë të qartë se nuk janë afër arritjes së një marrëveshjeje.

Më 2 tetor, kryeministri britanik, Boris Johnson, paraqiti një plan “përfundimtar” në përpjekje për arritjen e një ujdie mes Londrës dhe Brukselit që do të mundësonte një dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja me marrëveshje.

Ai tha se alternativa e vetme e këtij plani do të ishte një Brexit pa marrëveshje.

Sipas planit, Irlanda Veriore në thelb do të qëndrojë në tregun e vetëm evropian për mallra, por do largohet nga bashkimi doganor, që nënkupton kontrolle të reja doganore.

Kryeministri Johnson ka përsëritur vazhdimisht se Britania do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, dhe se nuk do të kërkojë zgjatje të afatit.