Ballina Histori AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PREJ LITARIT DERI...

AT MATI PRENNUSHI O.F.M. PREJ LITARIT DERI TEK PLUMI – Nga Fritz RADOVANI

Gjoksi i At Mati PRENNUSHIT, ku u palos Flamuri i Gjergj Kastriotit e derisa, ju dorzue Atdhetarit Trim të Hotit Dedë Gjo’ LULI, ishte i dënuem me vdekje njëherit me Mikun e Tij… Porsa Ai Flamur u valvit në Maje të Deçiqit, me 6 Prill 1911, bash atë ditë kur u trandën edhe gurt’ e Vorrit Kastriotit në Lezhen historike…E gjimuen Malet!

At Matia ishte le me dashuninë per Liri, gjithshka Ai i dedikoi asaj. Në qelën e Greçës, At Matia dhe Imzot Lazër Mjedja me disa klerikë të Maleve organizojnë takimin historik ku përpilohet: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, dokument që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912.

Memorandumi asht shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. Burra t’ atyne Maleve që nuk i vijnë kurrma Shqipnisë!

E nuk vonoi gjyqi i Krajlit t’ Malit t’ Zi, që dënoi At Mati Prennushin “me varje n’litar”, po syni vek nuk i bani Fratit t’ Shën Françeskut, që tue ba buzen në gaz ju pergjegj kur i thane: “Në litarin tand do t’ varim o Frat!”… E At Matia i tha:  -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!” Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh të At Matisë. Me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Gjergj Fishta për té, ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë. Krajli jo vetëm i fali jetën po, edhe e liroi dhe ja dha me vete…

Në vitin 1925 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik Shqiptar, e kryesisht ai Françeskan, kundër regjimit të Zogut i cili, kishte nenshkrue marrveshje turpi me Pashiqin e Jugosllavisë, ku kryesore ishte tradhtia ndaj Vermoshit e Shen Naumit.

Mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit e Mikut Fretenve Bajram Currit, At Matia nuk donte me ia ndigjue emnin Zogut e as Musa Jukës prandej, arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi.

Ishte marrë vendim nga Zogu që At Matia do të pushkatohej. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin qyshë në Rubik, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina malore. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Në Tiranë bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar. Këto vepra as nuk perkujtohen! At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Ata e konsideronin: “Françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”.

Në vitin 1943 kur At Anton Harapi shkon në Rregjencë, At Matia asht zgjedhë në vendin e Tij Provincial i Françeskanve të Shqipnisë. Kenja Provinçial kje në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit.

Mbas 1944 gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve e tradhtarëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta? Në Janar 1945, At Matia asht i pari klerik katolik Shqiptar që takohet me terroristët e njohun Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, në kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder, dhe kur ata i kanë kerkue shkëputjen nga Vatikani, At Matia u asht pergjegjë: “Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kleri Katolik Shqiptar!” Pikrisht, aty ishte edhe piknisja e Gjenocidit komunist kunder Klerit që vazhdoi 47 vjetë!

At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit. Dijti me lidhë veprën me logjikën, tue arsytue gjithshka e këshillonte Atë vëllau i kuvendit. Per këte flet kjartë Dosjes së Sigurimit 1302.

Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër u vlonte Liria e Atdheut. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.

Me 8 Janar 1948, në gjyqin e mbyllun që po zhvillohej në mensen e burgut të Kishës së Fretenëve në Shkoder, Provinçiali At Mati Prennushi në fjalën e fundit ka thanë: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as Fenë as kombin, po e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit.

Kemi jetue gjithmonë me Popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpî. Ndërsa na nuk jemi nda kurr prej Popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që Populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit.” (Revista “Buzuku”, nr. 18, E. Merlika, me 22 tetor 2005, Ulqin.)

  • AT MATI PRENNUSHI, i dënuem per të treten herë me vdekje, me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit para pushkatimit ka thanë: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

(Dosja 1302, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme Tiranë, 1998.)

Jemi para një fakti të mnershem: Shumica e Atdhetarve Shqiptar nuk kanë as varre… Ndersa, tiranët vrastarë e terroristë.., vazhdojnë me u quejtë “heronjë”…

Melbourne, 1 Tetor 2019.