Së bashku me përfaqësuesit e më shumë se 50 vendeve nga të gjitha kontinentet, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka nisur krijimin e një Aleance për multilateralizmin. “Përkundër krizave të mëdha që ekzistojnë: Rendi i rregulluar ndërkombëtar na ka sjellë si kurrë më parë në histori, paqe dhe mirëqenie. Ne duhet t’i mbrojmë ato”, tha Maas në një aktivitet nismëtar të kësaj Aleance, në kornizat e Asamblesë së Përgjitshme të OKB në New York.
Maas e ka prezantuar për herë të parë idenë e tij për një Aleancë në korrik të vitit të kaluar. Së bashku me Gjermaninë janë duke punuar për një kohë të gjatë edhe vendet si Franca, Japonia dhe Kanadaja. Takimi në New York ishte i pari i përmasave të këtilla, ku u nis krijimi i një aleance më të gjerë. Në sallë ishin më shumë se 30 ministra të Jashtëm.
Pozicionimi ndaj Trumpit
Aleanca duhet të punojë në forcimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të angazhohet për përparimin e reformave të institucioneve ndërkombëtare dhe të forcojë bashkëpunimin mes vendeve. Sfondi i këtyre angazhimeve ka për qëllim të kundërshtojë edhe nacionalizmin e presidentit amerikan Donald Trump. SHBA është distancuar dhe larguar nga shumë marrëveshje ndërkombëtare, prej ardhjes së Trumpit në pushtet. Ndërkohë që janë ashpërsuar edhe tendosjet mes SHBA dhe Kinës.
SHBA është distancuar dhe larguar nga shumë marrëveshje ndërkombëtare, prej ardhjes së Donald Trump
Aleanca është planifikuar si një grup me anëtarësi të rregullt, ngjashëm me G7 apo G20. Ajo fillimisht do të përfshijë gjashtë fusha të bashkëpunimit: Mbrojtja e klimës, liria e shtypit, rregullat për përdorimin e sistemeve autonome të armëve, barazia gjinore dhe arsimi, bashkëpunimi humanitar dhe përdorimi i gjithësisë.
bc/jj/haz (dpa, rtr)