Ballina Aktualitet Vendet e Ballkanit kontribut në misionin e NATO-s në Irak

Vendet e Ballkanit kontribut në misionin e NATO-s në Irak

Vendet anëtare të Kartës së Adriatikut, miratuan sot propozimin e Shqipërisë për një kontribut të përbashkët në Misionin e NATO-s në Irak. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut ku bën pjesë Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut. Shtetet e Bashkuara, promovueset e nismës A5 u përfaqësuan në takim me zëvendëskomandantin e forcave amerikane në Evropë, gjeneral-lejtnant Stephen Twitty-n.

Ndërsa parashtroi propozimin e Shqipërisë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vuri në dukje se “të jesh anëtar i NATO është mbi të gjitha një përgjegjësi. Një përgjegjësi për të përqafuar vlerat mbi të cilat është ngritur Aleanca, për të bashkëpunuar për konsolidimin e sigurisë e stabilitetit të rajonit, por edhe për të kontribuar për sigurinë kolektive kudo që të jetë nevoja”, tha zonja Xhaçka.

Vendimi përfundimtar do të merret gjatë ministerialit të Kartës së Adriatikut i cili pritet të mbahet në Tiranë në muajin Dhjetor. Misioni i Natos në Irak ka si synim formimin e trajnuesve të Forcave të sigurisë irakene në fusha të ndryshme, që nga mjekësia ushtarake, të bashkëpunimi civilo ushtarak apo mirëmbajtja e mjeteve të blinduara.

Nga ana e tij gjenerali amerikan Twitty vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në Nato si “një partner i respektuar dhe i vlerësuar i sigurisë, si rajonal dhe global. Që kur u bë anëtar i NATO-s në 2009, Shqipëria ka angazhuar trupa dhe burime për misionet dhe operacionet e NATO-s në Afganistan, Kosovë, Bosnjë dhe në Letoni”. Ai theksoi se Shqiëria angazhon 3.9 përqind të forcave të saj ushtarake në aktivitetet e NATO-s, duke përfaqësuar kontributin e dytë më të madh në raport me numrin e popullsisë. Duke folur për investimin prej 58 milion dollarësh të NATO-s për modernizimin e Bazës Ajrore të Kucovës, ai nënvizoi se kjo do të sigurojë “një nxitje të konsiderueshme për operacionet e furnizimit në ajër, mbështetjen e logjistikës, policimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet”, u shpreh zëvendëskomandanti i forcave amerikane në Evropë