Ballina Shëndet Përse ushqimet që gatuani iu ngjiten në tigan?

Përse ushqimet që gatuani iu ngjiten në tigan?

Gatimi është pa dyshim një proces shumë i kënaqshëm me rezultate shumë të shijshme.

Secila amvisë e ka parasysh mirë se sa delikate dhe e kujdesshme duhet të jetë në çdo pjatë që gatuan.

Kjo pasi shpeshherë ato mund të prishen, digjen apo ngjiten gjatë pjekjes apo skuqjes.

Me siguri ju ka ndodhur me qindra herë, duke ju çuar dëm të gjithë mundin e përgatitjes së një vakti të shijshëm.

Ndonëse shija e gatimeve mund të varet nga shumë arsye që nga cilësia e produkteve, deri tek mënyra e duhur e përgatitjes, AgroWeb.org në këtë artikull ju tregon disa mënyra si ta parandaloni këtë eksperiencë të keqe në kuzhinë.

Më poshtë gjeni të shpjeguar disa nga arsyet më të zakonshme se përse ushqimi juaj ngjitet, gjithashtu edhe mënyrën e duhur si ta parandaloni këtë.

Përse ju ngjiten ushqimet?

Së pari duhet të kontrolloni cilësinë e mjeteve me të cilat gatuani.

Nëse tigani juaj ka tendencën të ngjisë çdo gatim dhe keni shumë kohë që e përdorni zgjidhja e duhur do të ishte ta ndërroni me një të ri.

Tek tiganët e hollë, metalikë nxehtësia arrin shumë shpejt ndaj ushqimet ngjiten, digjen dhe prishen në vetëm pak sekonda.

Gjithsesi edhe tek tiganët e rinj e të teknologjisë së fundit disa ushqime kanë tendencën t’i ngjisin shumë lehtë.

Këtu futet edhe veza pasi ka një përbërje te veçantë dhe kërkon shumë kujdes.

Veza duke qenë shumë e lëngshme ka tendëncën të ngecë tek sipërfaqja e ashpër që tiganët kanë në përgjithësi.

Kështu mund të digjet shumë lehtë, për shkak të afërsisë që ka me metalin dhe nxehtësinë.

Si ta parandaloni?

Gjithnjë kini parasysh që t’i lyeni tiganët tuaj para përdorimit në gatime me pak vaj ose gjalpë.

Në mënyrë që asnjë ushqim të mos kalojë direkt në tigan e sidomos ato me përbërje të lëngshme, siç është veza.

Para se ta lyeni tiganin me diçka të yndyrshme, nxeheni atë mirë, hidhni vaj apo gjalpë.

Pasi të kalojnë disa minuta hidhni ushqimin që doni të gatuani.

Nëse po gatuani mish apo peshk sigurohuni që ai të jetë plotësisht i thatë para se ta vini në tigan.

Në rastet kur tigani është qeramikë, posaçërisht për këto ushqime dhe nuk ngjit, vendoseni mishin tuaj menjëherë.

Bëni kujdes që paraprakisht gjithnjë tigani të jetë i nxehtë.

E kundërta kur tigani është prej metali të thjeshtë, sigurohuni që ta lyeni atë me vaj.

Më pas mishin apo peshkun ta shtoni kur vaji të jetë i nxehtë.

Një zgjidhje tjetër larg atyre që janë renditur më sipër është ta lyeni mishin apo peshkun me pak miell ose thërrime buke të thekur.

Këta dy përbërës të shtuar do ndihmojnë në shijen e mirë të ushqimeve tuaja dhe do t’i ruajnë ato nga ngjitja në tigan.

Është e rëndësishme që ushqimet t’i lini nga njëra anë e skuqjes derisa të marrin ngjyrë kafe të artë.

Në këtë mënyrë ato do të keni krijuar vetë një shtresë që nuk i lejon të ngjiten tek metali i tiganit.

Kështu që sa herë të jeni duke gatuar mish, peshk apo ushqime të tjera kini durim që ato të skuqen sa duhet përpara se t’i ktheni nga ana tjetër.

Kjo do të parandalojë ngjitjen dhe djegien e tyre në sipërfaqen e tiganit.