Ballina Aktualitet Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor solidarizohen me Shqipërinë

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor solidarizohen me Shqipërinë

Përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, i shprehën mbështetje Shqipërisë ne përballjen e saj me pasojat e tërmeteve dhe u dhanë mbështetje synimeve për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, zhvilloi një darkë pune me ta në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se ata “mbështetën vazhdimin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”.

Në njoftim po ashtu thuhet se të gjithë përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, shprehën përkushtimin e tyre të plotë për rrugën evropiane, duke theksuar se puna për reformat e nevojshme është duke vazhduar, bashkë me bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Pjesëmarrësit mbështetën edhe hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke nënvizuar se ky vendim është shumë i rëndësishëm jo vetëm për të dy shtetet që synojnë anëtarësimin, por për tërë rajonin dhe Bashkimin Evropian.