Ballina Aktualitet Gjenerali amerikan, Correl, viziton Kosovën për herë të parë

Gjenerali amerikan, Correl, viziton Kosovën për herë të parë

Garda Kombëtare e Ajovës do të vazhdojë të mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, tha agjutanti i përgjithshëm i Gardës, gjeneral majori Ben Corell, gjatë vizitës së parë në Kosovë prejse u emërua në këtë pozitë.

“Jam i nderuar që përfaqësoj Gardën Kombëtare të Ajovës këtu në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar dhe të mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ambasadën e SHBA-së”, tha Corell, njofton ambasada amerikane në Prishtinë.

Corell, i cili pason gjeneralin Tim Orr në pozitën e agjutantit të përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, do të qëndrojë në Kosovë gjatë javës.

Orr për herë të fundit ka qenë në Kosovë më 7 maj, 2019, në vizitë lamtumirëse.

Orr është dashur të vizitojë Kosovën edhe në shkurt, në prag të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, por Qeveria amerikane ka vendosur që ta anulojë atë vizitë për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Në deklaratën e ambasadës amerikane në Prishtinë, të lëshuar të hënën, thuhet se “që nga viti 2011, Garda Kombëtare e Ajovës ka qenë partner shtetëror i Kosovës, duke ofruar mbështetje për Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

“Ajo që e bëri këtë partneritet shtetëror unik, është se Ajova ka një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore, duke përfshirë të gjitha nivelet e qeverisë, arsimit, atletikës, biznesit privat, energjisë dhe bujqësisë”, thuhet në deklaratë.