Si asnjëherë më parë, nga shkuarja në amshim e liderit historik Ibrahim Rugova, nominimi i zonjës Vjosa Osmani kandidate për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka prodhuar një ndjenjë të papërshkrueshme gëzimi në elektoratin e kësaj partie. Ky vullnet i elektoratit të LDK-së do ta kishte kuptimin e plotë sikur vota e elektoratit e nxjerrë LDK-në fituese absolute të zgjedhjeve.
Për këtë arsye, ky gëzim i madh i elektoratit të LDK-së rrezikon të kthehet në zhgënjim dhe thyerje të madhe shpirtërore, për shkak se në secilin variant të koalicionit pas-zgjedhor, Vjosa Osmani nuk e ka të garantuar postin e kryeministres së vendit!
Bazuar në parafushatën e kandidates për kryeministre nga radhët e LDK-së, shihet qartë se Vjosa Osmani e ka fituar një mbështetje të parezervë nga elektorati i këtij subjekti politik.
Nëse e marrim si kriter mbështetjen e fuqishme të zonjes Vjosa Osmani nga elektorati i LDK-së, atëherë pavarësisht rezultatit zgjedhor, Vjosa do duhej të merrte timonin e partisë.
Megjithatë, nuk duhet anashkaluar faktin se zgjedhjet në LDK kanë përfunduar. Prandaj, edhe vullneti i elektoratit të LDK-së mund të mbetet vetëm dëshirë poqesë Vjosa nuk arrinë t’i fitojë zgjedhjet!
Kandidimi i Vjoses, produkt i frikës për ndëshkim
Pas ngulfatjes së vullnetit të elektoratit në procesin e brendshëm zgjedhor, mbështetjen e fuqishme të elektoratit të LDK-së për Vjosen kryeministre, duhet kuptuar si dëshirë të elektoratit që ka shpërthyer si vullkan për ndryshime në LDK dhe mbarë Kosovën.
Sikur zonja Vjosa Osmani të ishte propozuar si kandidate për kryeministre vetëm 5-6 muaj më parë gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, fitorja e LDK-së në këto zgjedhje jo vetëm që do të ishte e garantuar, mund të ishte fitore absolute e këtyre zgjedhjeve.
Mënyra e kandidimit të Vjoses vetëm 5 minuta para orës 12-të, nuk erdhi nga gjeneroziteti dhe dëshira e kryetarit dhe as e kryesisë qendrore, por erdhi nga frika e ndëshkimit nga elektorati për shkak të procesit të deformuar zgjedhor të partisë.
Sikur të pyetej elektorati i LDK-së, kryetari aktual i partisë dhe shumë nga kryetarët e degëve, humbës serik të disa palë zgjedhjeve lokale,fare nuk do të ishin rizgjedhur, madje edhe përbërja e kandidatëve për deputet do të ishte krejt më ndryshe nga seqë është.
Nisur nga ky fakt, është hera e dytë që Isa Mustafa nuk e pati guximin të përballet me elektoratin. Në zgjedhjet e kaluara e “dogji” profesorin Avdulla Hoti, ndërsa në këto zgjedhje e ka vendosur ta sfidojë Vjosen!
Mirëpo kësaj radhe situata është pak më ndryshe, mos respektimi i vullnetit të elektoratit në zgjedhjet partiake, e ka kthyer Vjosa Osmanin lidere morale të partisë.
Tendenca për “djegien” e Vjoses, do të prodhoj zgjedhjet e jashtëzakonshme në LDK për shkak të mbështetjes së jashtëzakonshme të elektoratit.
Si pasojë e ngulfatjes së vullnetit të elektoratit, sot paradoksalisht përballë katër pretendetëve për kryeminstra, Vjosa Osmani është e vetmja kandidate që nuk është lidere e partisë.
Mbajtja e premtimve, forcon besimin e elektoratit
Dy premtimet e mëdha elektorale të zonjes Vjosa Osmani; “Jo koalicion me PDK-në dhe pikë”, “do ta bëjë shkarkimin e Hashim Thaçit dhe pikë”, janë dy obligime pas të cilave Vjosa nuk guxon të vëjë presje për asnjë çmim apo presion nderkombetar, qoftë edhe nëse kushtëzohet me humbjen e postit të kryeministrit.
Në rrethanat aktuale nëpër të cilat po kalon vendi, kthimi i besimit të qytetarëve është më i rëndësishëm se çdo post politik.
Çdo rrëshqitje në premtimin bazik elektoral “Kurrë më koalicion me PDK-në”, Vjoses do t’i kushtoj me humbje të imazhit personal, dëmtim enorm të partisë dhe zhgënjim total të elektoratit.
Vjosa Osmani, e ka rastin historik që mbështetjen e fuqishme të elektoratit të LDK-së ta kthejë në forcë dhe motivim personal për ç’kapjen e partisë nga klanet dhe grupet e interesit, nga karrieristët dhe matrapazët politik.
Vjosa Osmani, besimin e elektoratit duhet ta kthejë në force dhe guxim për marrjen e timonit të LDK-së, jo me forcë por me transparencë veprimesh përmes organizimit të një procesi të rregullt zgjedhor dhe demokratik në LDK, ku secili anëtarë të ketë mundësinë e zgjedhjes dhe për të qenë i zgjedhur në parti.
Një fjalë e urtë popullore e thotë: “Sa më shumë e shtërgon pushkën, krismën e ka më të madhe”!
Përfundimisht ka ardhur koha, që zërat e ngulfatur në LDK të shpërthejnë fuqishëm, të thonë hapur atë që e kanë në shpirtë e zemër siq po e thonë për Vjosen në këto zgjedhje.
Oshëtima e uraganit të LDK-së ua ka futur frikën partive rivale, mbështetja e fuqishme e elektoratit për Vjosa Osmanin i ka tmerruar kandidatët për kryeministra.
21.09.2019