Ballina Aktualitet Azem Meshi me jetën e veprën e tij një shembull e barometër...

Azem Meshi me jetën e veprën e tij një shembull e barometër i kohës shqiptare – Nga Ramiz LUSHAJ

Kumtim i mbajtur nga Ramiz Lushaj

në Akademinë Përkujtimore për Dëshmorin e Policisë së Shtetit, Azem Meshi dhe Promovimin e Librit “Azem Meshi, Shqipe e Vendit të Vet”-

Ky libër kolektiv, “Azem Meshi, Shqipe e Vendit të Vet”, me firmat e 27 autorëve bashkëpunues me shkrimet e tyre, që krye-mban për bashkautorësi edhe emrin tim e të Ahmet Meshit, që ka një fond e galeri me 140 foto, faksimile, skema e grafika (nga të cilat 61 foto me ngjyra) në të 236 faqet e tij të botimit të dytë të plotësuar, i kushtimohet  jetës e veprimtarisë së Azem Ali Meshit- “Dëshmor i Atdheut”, përndryshe dhe “Dëshmor i Policisë së Shtetit Shqiptar”, që ka rá në krye të detyrës për mbrojtjen, ndërtimin e lartësimin e shtetit, në një përpjekje trimnore e të përgjakshme me një bandë kriminale të armatosur në Yzberisht të Tiranës, para 20 vitesh, më 3 qershor 1999, në moshën 31 vjeçare, në ma të bukuren kohëmoshë të njeriut të ëndrrave të jetës, të krijimit të familjes, të rrugëtimit drejt lumturimit e lartësimit të vetvetës personale e familjare në shumanshmëri plotore në kohëjetën e tij.

Azem Meshi është një martir – një dëshmor, është “një hero”- siç e cilëson dhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Mit’hat Havari (fq. 71-73), është një hero që po e jeton jetën e tij të heroit martir të kombit të vet me mesazhe të mira për kombin e vet, për kohën tonë, ndryshe nga disa heronjë të gjallë të paqes e luftës të dekadave të fundit në Rajonin Ballkanik Shqiptar që prej disa qëndrimeve e veprimeve me teprime, gabime e faje në politikë, në pasunime, në shoqëri, tashma po e përjetojnë jetën e anti-heroit.

Edhe sot, në këtë ditë të 20 shtatorit 2019, edhe dekorimi i Azem Meshit me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kamzës, edhe botimi i këtij libri përkushtimor për Azem Meshin, flasin krejt qartë, plot dritë, se Azem Meshi po e jeton lartësisht jetën e heroit të kombit të vet shqiptar, se është i gjallë në mes nesh, brenda nesh, para nesh, edhe tek vajza e tij e talentuar Greta- gazetare në një televizion e me shoqërinë civile; edhe tek bashkëshortja e tij e fisme Loreta- punonjëse civile e administrative në Policinë e Shtetit; edhe tek vllaznit e tij: Zenuni, Ahmeti, Skënderi, Agroni, Guximi e Sabahi, motrat e tij Xhanja e Liria; edhe tek të gjithë të afërmit e pragut e gjakut, tek të gjithë ne pjesmarrësit në këtë Akademi Përkujtimore, edhe tek shoqëria, koha, historia krahinore e kombëtare shqiptare, prandaj edhe shkrimit tim në hyrje të librit, te parathania, ia kam vendos titullin: “Tungjatjeta, o Azem Ali Meshi”, prandaj ne të gjithë në këtë sallë të Tirana International Hotel i themi edhe sot e në motmote: “Mirë se erdhe, o Azem Meshi ynë 51 vjeçar”, në moshën e lartë të burrit tradicional e të heroit shqiptar, sepse e thotë dhe kanga e dy kangtarëve hasjanë Kastrati e Brati (fq. 171-173), e këndueme qysh më 2006: “Kush jep jetën, o për vend t’vet/Asht i gjallë, o kurrë nuk des!”.

(Tani, më lejoni t’iu ftoj të mbajmë një minutë heshtje për Dëshmorin Azem Meshi dhe të gjithë Dëshmorët e Policisë së Shtetit Shqiptar!). (I përjetshëm emri, vepra e kujtimi i tyre!)

Lisi e rrit lisin, me farën e vet, në tokën e vet. Lisat krijojnë lisnajën. Kështu dhe Vllaznia Meshi, e ardhun prej origjine nga Oroshi i Mirditës e me ngulim jete disashekullore në Kosturr të Hasit të Qarkut të sotëm të Kukësit, edhe kulla e të parëve të Azem Ali Meshit, kanë marrë pjesë aktive në kryengritje e luftëra rajonale e kombëtare nga Qafë Prushi deri në Shkup e Shkodër, nga Moraça në Plavë-Guci, Rrafshin e Dukagjinit etj. prej nga koha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e të Pejës, në Shpalljen e Pavarësisë, Luftën e Dytë Botërore e Luftën e fundit të Kosovës. Gjyshi i Azem Meshit, Ukshin Adem Meshi së bashku me të vllanë Arifin, kanë marrë pjesë në Kryengritjen Kombëtare Shqiptare të Vilajetit të Kosovës të 1912-tës  së Pavarësisë. Baba i Azem Meshit, i ndjeri Ali Ukshin Meshi, ka marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore në moshë krejt të re, mbi 15-vjeçare, me Çetën e me Batalionin e Hasit dhe në rradhët e Brigadës XXV-S të Tropojës deri në Kosovë e në Sanxhak. Kusherinj të afërt të Azem Meshit, si: Ram, Ali e Mehmet Meshi janë “Dëshmorë të Atdheut” të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.  Kjo Vllaznia Meshi, Familja e madhe e Azem Meshit, në vitin 1999, brenda tre muajve kohor, kanë tre dëshmorë: më 24 mars 1999, në Istog të Pejës, në ditën e bombardimeve të NATO-s, të fillimit të Luftës së Kosovës, vriten trimërisht Bashkim e Afrim Meshi, të cilët janë “Dëshmorë të Kosovës” dhe më 3 qershor 1999, Azem Meshi- “Dëshmor i Shqipërisë”, vritet në Tiranë, në përballje me një bandë kriminale që kishin vrarë pak kohë përpara një shtetas shqiptar të Kosovës. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj (2009-’13), në shkrimin e tij (fq. 93-97) shkruan: “Mes shumë heronjve e kam njohur edhe Azemin, trimin që na la të kuptojmë të gjithëve se aspekti i këndvështrimit të tij ishte më i largët se një moment, ai luftoi për njerëzinë, për sigurinë, për të ardhmen e vendit”.

Rregjimi komunist i kohës, prej nga viti 1948, e shpalli e trajtoi babën e Azem Meshit, ish luftëtarin e atdhetarin Ali Ukshin Meshi dhe familjen e tij si “të deklasuar politik”, “të përndjekur politik” në katër dekada jete, e arrestoi dhe e dënoi Ali Ukshin Meshin për dyshime politike me 6 vjet burg politik, ia hoqi “Triskën e Frontit” për 3-vjet, e cilësoi “kulak”, ia sekustroi pasurinë, etj.

Tevona, me ndërtimin e HEC e të Liqenit të Fierzës iu përmbytën kulla, toka, pemët dhe as pasardhësit, si qindra të tjerë bregdrinas të Hasit, Kukësit, Tropojës e Pukës, nuk janë kompenusar ligjërisht e përfundimisht nga asnjë qeveri e asnjë kohe, pavarësisht premtimeve të përhershme e angazhimeve të pjesshme të tyre.

Familja e Ali Ukshinit u detyra të shpërngulej e të vendosj në Kam të krahinës së Bytyçit, në këtë qytezë të minatorëve në rrethin e Tropojës deri në vitet e Demokracisë, kur erdhën në Tiranë.

Azem Meshi, një nga 9 fëmijët e Ali Ukshinit, shkollen fillore e kreu në Kosturr të Hasit, për çka mësuesja e tij veterane, Bute Meshi, thotë se “kishte sjellje shembullore”, “i ndihmonte shokët e shoqet”, “në aktivitete ishte i pari”, “ngulmonte për dije të reja”, etj. (faqe 27-30). Shkollën 8-vjeçare e kreu në Kam të Tropojës, ku mësuesi i tij, poeti e studiuesi Shaban Geci, i ka kushtue dhe një poezi në këtë libër (fq. 174): “Kaçurrel me sy të zi/ Djalë serioz që në fëmijëri/ Djalë serioz me tipare burri /Azem Meshi prej Kosturri/”.

Av. Agron Isa Gjedia, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, në shkrimin e tij kapitull libror më vehte, shkruan se Azem Meshi i bante disa orë rrugë nga Kami në Pac për të ndjekë me sakrifica, përkushtim e rezultate të mira shkollen e mesme; kishte zgjuarësi genetike natyrore e jetësore; ishte i traditës, me kulturë, me veti e virtyte të larta; lexonte libra jashtëshkollorë; i pasionuar e i dallueshëm në garat me kuaj; i dhanun pas notit në prrenj e lumenj të Bytyçit e Hasit, në Dri e Liqenin e Fierzës; merrej me peshkim për sport e ekonomi; i kishte qejf ecjet në natyrë e udhëtimet, etj. (fq. 55-66).

Azemi për shkaqe politike të kohës nuk mundi të ndiqte arsimin e lartë universitar, pavarësisht dëshirës e aftësive të tij.

Azem Meshi, në një kuptim të caktuar, është një “barometër” i Kohës së Demokracisë, i kësaj kohe me mundësi e hapësira të mëdha për të dëshmue vetëveten në jetë. E dëshmojnë faktet, sepse Azemi në këto vite, ky veprimtar aktiv e  kontributor i PD-së në Tropojë, Has, Kukës e Tiranë, prej vitit 1992 filloi punë në Policinë e Shtetit në Tiranë, në Repartin e Ambasadave e në Komisariatin e Policisë nr. 4 në Kryeqytet; e ndoqi Akademinë e Rendit Publik (sot, Akademia e Sigurisë) e provimin e fundit e dha një javë para vrasjes së tij në qershor 1999 e atë vit do ta merrte edhe titullin “Oficer i Policisë Shqiptare”; e ndertoi një shtëpi “model Elbasani” aty në Zona “Yzberish 2” në Tiranë me krahët e tij e me ndihmë nga vëllezërit e miqtë e tij, familja e nderueme tiranase e Shyqyri Grecës; e krijoi familjen e tij të re e dinjitare; u kujdes duke e rregjistruar bashkëshorten e tij Loretën në kurse për italisht e kompjuter, etj.; punonte në dy punë, pas orarit të shërbimit në Policinë e Shtetit shkonte tek firmat private, etj.  Greta Meshi, vajza e tij, te esseja “Babai im” fq. 115, viti 2016) shkruan: “Unë e di që ai është pranë meje kudo, ai është engjëlli im mbrojtës e në çdo hap që unë hedh, ai është aty duke më mbështetur, duke më brohoritur, e duke u ndjerë krenarë për vogëlushen që po rritet”.

Edhe nipi i Meshëve, djali i hallës së Azem Meshit, biznesmeni i mirënjohur shqiptar, Ram Geci, djali i një burri të lartë e të mirë – Ali At’hem Gecit të Bytyçit, që ishin “Oxhak” -“Derë e Madhe” e Bytyçit dhe në Malësi të Gjakovës, djali i një nane të fisme Razë Ukshin Meshit-Geci të Kosturrit, është një tjetër “barometër”- një shembull i mirë e i madh i kohës shqiptare, pronar i vetëm i Tirana International Hotel, ku po e bajmë këtë Akademi Përkujtimore e Promovim Libri), i kompanisë elitare “Geci”, një nga biznesmenët e humanistët e mëdhenj të ditëve tona, të cilit i shprehim mirënjohje të madhe.

Edhe nipi tjetër i Meshëve, djali i hallës së Azem Meshit, Rrustem Gjedia i antikomunistit, trimit, njeriut punëtor, Jakup Sali Gjediaj të Bytyçit (i cili, prej 1952-shit, emigroi në Kosovë e Amerikë) dhe i qëndrestares të fisme Gjylë Ukshin Meshi-Gjedia të Kosturrit , është një tjetër “barometër” i kohës panshqiptare, një biznesmen i njohur në Amerikë e Europë.

Azem Meshi është një nga 168 dëshmorët e Policisë së Shtetit Shqiptar (ku 86 prej tyre iu përkasin viteve të vështira 1997-1999) çka do të thotë se Azem Meshi është një nga dëshmorët e ringritjes së Shtetit, të ndërtimit të Shtetit, për nga rendi, qetësia e siguria publike, çka është dhe detyra e misioni kryesor i Policisë së Shtetit Shqiptar, se Policia është e para në sakrifica deri në vetmohim në mbrojtje e ndërtim të shtetit dhe rënia e Policisë e Gardës në kohë të jashtëzakonshme është vet rënia e Shtetit. Shqipëria ka dhe 56 policë të tjerë të rënë në krye apo për shkak të detyrës, të cilët janë në pritje të dhënies së titullit “Dëshmor i Atdheut”. Pra, Shqipëria ka gjithsej 224 policë të vrarë në tre dekada nga Ilir Gjyrdedi më 1990 e deri tek Artan Cuku më 2017, ndërkohë që shteti tjetër shqiptar, Kosova jonë, e porsa dalë nga Lufta e fundit (1997-1999), fitoi Lirinë më 1999 e Pavarësinë më 2008, në pothuaj dy dekada kohore, nga 2001 deri më 2018, i ka vetëm 20 dëshmorë të Policisë së Shtetit.

Unë, shqiptarisht, i bashkohem mendimit të doktor, gjeneral major Bajram Ibraj, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (2002-’07) që: “Qeveritë Shqiptare, duhet që të nxjerrin sa ma parë, madje dhe shumë i vonuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të të rënëve në Policinë e Shtetit, minimalisht duke filluar që nga viti 1990” (fq 84 e librit). Pra,  po e them: gjaku i policëve të rënë në krye e për shkak të detyrës për Kombin e vet nuk ka faturë, nuk ka çmim, prandaj dhe “fatura financiare” e Shtetit nuk duhet të bahet pengesë.

Edhe disa kërkesa të Shoqatës së Policëve në Lirim duhet të merren në konsideratë nga Shteti ynë, pasi ka disa pengesa ligjore të panevojshme apo të qëllimshme, që pengojnë policë të karrierës, të rritur me Policinë e Shtetit, me kontribute në Policinë e Shtetit, të rikthehen në detyrat e tyre të maparshme, të veshin uniformën e oficerit të Policisë së Shtetit Shqiptar.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (2007-’09),  poeti Ahmet Prençi (në faqen 91 të librit) fjalathotë: “Kujtojmë Azem Meshin e qindra heronj të Policisë për t’ju thënë që çdo gjë që bëjmë ne është shumë pak në krahasim më atë çka bënë ata për vendin e shoqërinë”.

Në këtë libër për Dëshmorin e Atdheut, Azem Ali Meshi, kanë shkruar drejtues të lartë të Policisë së Shtetit Shqiptar, Hysni Burgaj, Ahmet Prençi, Bajram Ibraj, Mit’hat Havari; prof. dr. Shefqet Hoxha i Kukësit – Mësues i Popullit; poeti Namik Selmani nga Çamëria me banim në SHBA; poete e shkrimtare Sherife Thaçi-Berisha nga Suhareka e Kosovës; i ndjeri dr. Ali Aliaj-ish pedagog në Tiranë e Kosovë; kolegu e shoku i tij, ish-polici, shkrimtari e poeti Besnik Meta në Tiranë; poeti Fran Ukcama në Fier; i ndjeri shkrimtari e studiuesi Isuf Meshi i Kosturrit -një disident e antikomunist i njohur; kushërini e shoku i tij Astrit Hasani-Meshi në Londër; shoku i tij, mjeku Shkelzen Ibra në Krumë të Hasit; studiuesi Ismet Avdiaj nga Berisha e Brigjeve- kufi me Has, Bytyç e liqenin e Fierzës; Isuf Rexhepi e Haki Memaj nga Tropoja e me banim në Tiranë; motra e tij, Xhane Meshi-Beraj e të tjerë, të cilëve iu shprehim mirënjohje.

Shprehim vlerësime të larta për punën e redaktorit të librit, dr. Fejzulla Gjabri i Kukësit, për shkrimtarin e poetin Mujo Buçpapaj i Botimeve “Nacional”; për artin grafik nga Xhina Palko të Studios “Patrigraf”, për shtypshkrimin nga Shtypshkronja “Mileniumi i Ri” në Durrës dhe, veçanarisht për biznesmenin Ram Geci, që e financoi botimin e dytë të plotësuar të këtij libri dhe këtë Akademi Përkujtimore për Azem Meshin – Dëshmor i Atdheut.

Një “Yll që nuk u shua”- thotë ish drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe vërtetë i tillë është ky dëshmor, ky heroi, Azem Meshi – i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” e Familjes së tij iu dha simboli “Familje e Dëshmorit të Atdheut” (2003); President i i Shqipërisë e ka dekoruar me “Medalja e Artë e Shqiponjës”(2000) e pesta në rendin ligjor klasifikues të dekoratave e titujve në Republikën e Shqipërisë;  një rrugë në Tiranë, kah Yzberishi, prej vitit 2009, e mban emrin e tij; Bashkia e Kamzës, një nga bashkitë më të mëdha në Shqipëri, e ka shpallur “Qytetar Nderi” (2019); ka një film dokumentar “Mirënjohje Dëshmorit të Atdheut, Azem Meshi” (2009), ka kangë e poezi të shumta, kemi dhe, tani, e kemi dhe këtë libër: Azem Meshi, Shqipe e Vendit të Vet”.

Lavdi emrit, veprës e kujtimit të Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Azem Meshi – Dëshmor i Atdheut!

Ramiz LUSHAJ

 

Tirana International Hotel,

20 shtator 2019

 

(Fotot: Kristaq Janushi & Ramiz Lushaj)