Të ardhurat me ndërtimin e stadiumit të ri “San Siro” pritet të arrijnë në 124 milionë euro në vit, duke përfshirë edhe të ardhurat nga sektori shumëfunksional – këto janë vlerësimet mbi të ardhurat që do të sjellë ndërtimi i impiantit të ri sipas “Corriere della Sera”.
Rreth 69 milionë euro do të vijnë nga stadiumi, 55 milionë euro të tjera nga sektori rekreativ, duke mos përfshirë ndeshjet. Në lidhje me impiantin, një pjesë e rëndësishme lidhet me të drejtat e emrit (naming rights), ku parashikohen 13,8 milionë euro të ardhura në vit. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 16 milionë euro në vit që do të vijnë nga muzeu dhe vizitat në stadium.
“Sipas disa vlerësimeve – lexohet në dosje – mendohet se stadiumin dhe muzeun do ta vizitojnë rreth 1 milion vizitorë në vit, duke gjeneruar në total 16 milionë euro në vit”. 3,2 milionë euro të tjera do të vijnë nga zëri “katering” dhe 11,4 milionë nga eventet.
Jashtë stadiumit, hapësirat tregtare prej 77 mijë metra katrorë do të sjellin 24,5 milionë të ardhura; kësaj shifre i shtohen edhe 18 milionë nga 66 mijë metra katrorë zyra; 2 milionë euro nga 13 mijë metra katrorë hapësirë kushtuar argëtimit (3 mijë m² për fitnesin, 4 mijë m² për kinemanë, 6 mijë m² për argëtimin arsimor) dhe 1 milion nga 5 mijë m² Spa.
Sipas përllogaritjeve do të duhen rreth 32 vjet për të arritur ekuilibrin e bilancit dhe kthimin e investimeve. Fitimet do të vijnë nga viti i 33-të deri në vitin e 90, kur përfundon kontrata me Bashkinë. Ndërtimi i stadiumit dhe strukturave shumëfunksionale rreth tij do të kushtojë rreth 1,23 miliardë euro. Sa u përket dy klubeve, me stadiumin e ri, Inter dhe Milan presin që të ardhurat të jenë “në linjë me klubet më të mëdha europiane”.
*sektor komercial që përfshin gjithë aktivitetet, duke përfshirë edhe ato në shkallë industriale, banqueting e catering të lidhura respektivisht me prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të gatshme për klientelën, si dhe shpërndarjen automatike (vending).