Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, hap sot sesionin e 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Guterres do të mirëpresë presidentin e ardhshëm të Asamblesë, Tijjani Muhammad-Bande, nga Nigeria, i cili do të marrë rolin e ri si kryesues i organizatës 193-anëtarëshe.
Siç është traditë, sesioni i ri fillon një javë para se të fillojë debati i nivelit të lartë në Asamble, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë.
“Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ku çështjet e njerëzimit ndërlidhen gjithnjë e më shumë, Asambleja e Përgjithshme është platforma jonë universale për të ndërtuar konsensus për të mirën e përbashkët”, tha Guterres në prag të nisjes së sesionit të ri.
Asambleja e Përgjithshme është organi kryesor përfaqësues i Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha 193 vendet anëtare kanë të drejta të barabarta votimi.
Ajo miraton traktate dhe rezoluta, por ato nuk janë juridikisht të detyrueshme.