Ballina Kulturë Në darët e ankthit sindromik… – Nga Diadema Stil

Në darët e ankthit sindromik… – Nga Diadema Stil

Ende në Shqipëri, jo vetëm në zonat rurale veriore, por dhe në të gjitha trevat e vendit vepron psikologjia e Kanunit, e gjakmarrjes dhe hakmarrjes, që vazhdon të mbajë peng familje të tëra shqiptare, jo vetëm djemtë dhe burrat, por edhe fëmijët, bile në ndonjë rast edhe gratë, çfarë është në kundërshtim me principet e ligjëruara zakonore e kanunore. Çështjet pronësore, marrëdhëniet e ndryshme të kushëtzuara nga ekonomia e tregut të lirë dhe shoqëria e hapur, janë disa nga burimet konfliktuale, që kanë çuar në konflikte me pasoja të rënda për jetën njerëzore dhe me rrjedhime të mëtejshme kanunore, gjakmarrjeje e hakmarrjeje. Ende pas tridhjetë vitesh hapje drejt një shteti të së drejtës, Shqipëria nuk është në gjendje t’i vë fre kësaj dukurie, që vazhdon të marrë jetë njerëzish e të mbajë peng, nën frikë e terror, qindra familje. Shoqëria shqiptare ka tridhjetë vjet që krahas energjive dhe resurseve që vë në lëvizje shoqëria e hapur dhe e lirë, përballët me presionin e llagëmeve të errëta të instinkteve të ulëta dhe botës së krimit. Vala e urrjetjes, hakmarrjes dhe gjakmarrjes, histori që kanë nisur nga dhuna dhe vrasjet dhe gjenerojne dhunë e vrasje, duket se nuk kanë të sosur në Shqipëri. Vatrat e krimeve të vjetra dhe të reja, histori dhune dhe hakmarrjesh, vazhdojnë të krijojnë vatra të reja kriminalizimi e keqbërje, duke mbajtur të ngujuar e nën terror familje të tëra në këtë vend.

Manuela Lika, e datëlindjes 6 nëntor 1985, me dy fëmijët e saj, Elsi 15 vjeç dhe Marina 12 vjeç, ndihet e frikësuar, e terrorizuar për jetën e saj dhe të fëmijëve të saj, nën kërcënimin e përhershëm të gjakmarrjes. Bashkëshorti i saj Fatos Riza Lika, i datëlindjes 14 qershor 1978, nga Linza, komuna Dajt, para disa vitesh konfliktohet për çështje pronësie me komshiun e tij Agim Visha, ku në konflikt e sipër, më 4 korrik 2013, ky i fundit mbetet i vrarë dhe F. Lika dënohet me tetë vjet burg, për vrasje pa paramendim. Bashkëshortja e tij, Manuela dhe dy fëmijët mbetën për një kohë të gjatë të ngujuar, nën presionin e vazhdueshëm të gjaksve, që e kërcënonin nënën e re me marrje peng të fëmijëve të saj. Jeta për këtë grua të re, që ndiente përgjegjësinë e nënës për fatin e fëmijëve të saj të pambrojtur nga ligji, u kthye në një ferr të vërtetë. Negociatat e ndërmarra nga Shoqata e Pajtimit të Gjaqeve dhe kryepleqtë për pajtim mes dy familjeve në gjak rezultuan të dështuara, pasi familja Visha shpalli aktin e gjakmarrjes dhe nuk u tërhoq nga ky vendim. Në pamundësi për t’u hakmarrë ndaj Fatos Likës, që vazhdon të kryejë dënimin në burg, tentativat për hakmarrje u adresuan ndaj bashkëshortes dhe dy fëmijëve të tyre, që nuk guxonin të ndiqnin shkollën, madje as të dilnin te pragu i derës. Shteti shqiptar nuk është në gjendje ta mbrojë këtë grua, këtë nënë, nuk është në gjendje të mbrojë fëmijët e saj, të garantojë mirëqenien dhe shkollimin e tyre. Sa gra e nëna të tilla vuajnë të frikësuara gjer në traumatizime në rrethana të tilla, nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme të gjaksve?!

Përmasat e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, me dhunën dhe aktet kriminale, mbajnë sot peng shumë familje shqiptare, duke u bërë një pengesë e  madhe për të drejtat dhe liritë njerëzore në këtë vend dhe duke e bërë realisht vendin e shqiponjave një vend të pasigurtë. Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje, që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë jetën e familjeve shqiptare, rendin dhe sigurinë qytetare.