Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, tha se nëse i fiton zgjedhjet e së martës, do të aneksojë të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, megjithë protestat e udhëheqësve palestinezë.
Ai i bëri deklaratat nacionaliste të hënën, në klimën e një gare të ngushtë elektorale me rivalin kryesor, Benny Gantz.
Zoti Netanyahu i tha Radios së Ushtrisë Izraelite: “Synimi im është ta zgjeroj sovranitetin në të gjitha vendbanimet dhe blloqet e banimit”, duke përfshirë “objektet që kanë rëndësi sigurie ose janë të rëndësishme për trashëgiminë e Izraelit”.
Netanyahu është udhëheqësi më jetëgjatë në politikën izraelite. Ai po zhvillon betejën e tij më të ashpër për të fituar një mandat të pestë rekord për të qëndruar në pushtet edhe pse përballet me akuza të mundshme për korrupsion.
Në Izrael, këto janë zgjedhjet e dyta parlamentare në më pak se gjashtë muaj. Zoti Netanyahu nuk qe në gjendje të formonte një shumicë parlamentare për të krijuar qeverinë pas votimeve të prillit.
Sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë dhe e paparashikueshme mes partisë së djathtë Likud të Netanyahut dhe partisë së qendrës Blu dhe Bardhë të Gantzit për të fituar një shumicë në Knessetin me 120 anëtarë. Dhjetë parti mund të fitojnë vende në parlament.
Kjo mund të lejonte ish-ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman, dikur aleat i Netanyahu, por tani rival, të marrë mandatin për krijimin e një qeverie koalicioni. Lieberman, kreu i partisë Izrael Beitenu, mund t’i dyfishojë vendet që ka në parlament, nga pesë në 10. Parrulla e tij e fushatës është “Ta bëjmë Izraelin përsëri normal”, një moto që synon të luftojë atë që ai thotë se është ndikim i padrejtë i partive ultra-ortodokse të Izraelit mbi jetën politike në vend.
Në kuadrin e zgjedhjeve, Netanyahu është përpjekur të forcojë mbështetjen e tij nacionaliste, duke patur edhe ndihmën e mikut të tij të vjetër, presidentit amerikan Donald Trump, i cili fundjavën e kaluar hodhi mundësinë e një pakti të ndërsjellë mbrojtjeje mes dy vendeve aleate.
Zoti Trump tha se një traktat i tillë “do ta forconte më tej aleancën e jashtëzakonshme midis dy vendeve tona”.
SHBA kanë edhe një lidhje tjetër me zgjedhjet izraelite. Administrata Trump pritet të shpallë planin e saj tashmë mjaft të vonuar për paqen izraelito-palestineze menjëherë pas zgjedhjeve. Në qershor, SHBA bënë të ditur një plan prej 50 miliardë dollarësh për të forcuar ekonominë palestineze, por as palestinezët dhe as izraelitët nuk morën pjesë në ceremoninë e njoftimit në Bahrein.
Zoti Netanyahu ka bërë disa premtime fushate në përpjekje për të bërë për vete votuesit nacionalistë. Ai deklaroi se do të aneksojë Luginën e Lumit Jordan, një zonë që palestinezët e konsiderojnë si tokë bujqësore kryesore për çdo shtet palestinez që mund të krijohet në të ardhmen. Në shenjë proteste, Autoriteti Palestinez mbajti të hënën një mbledhje kabineti në fshatin Fasayil të luginës, një ditë pasi kabineti izraelit zhvilloi një takim diku tjetër po në luginë.