Ballina ED/OP Albanofobia në Itali – Situatë në përmirësim (Fragment nga libri, BALLKANI-Diplomacia...

Albanofobia në Itali – Situatë në përmirësim (Fragment nga libri, BALLKANI-Diplomacia e munguar) – Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Albanofobia është shtrirë edhe përtej Adriatikut, pra në shtetin fqinj të Italisë. Ndonëse midis dy vendeve shtrihet Ngushtica e Otrantos, për shqiptarët dhe italianët kjo ngushticë nuk ka përbërë asnjëherë problem për lëvizje në të dy anët e detit Adriatik. Lëvizja ka qenë shumëdimensionale. As në lashtësinë antike pagane dhe as në atë antike kristiane; as në kohën e lulëzimit të Perandorisë Romake dhe as në atë të rënies së saj; as në periudhën e Mesjetës së errët dhe as në atë të ndriçimit humanist nga Perëndimi dhe sundimi Osman nga Lindja; as në periudhën e principatave shqiptare dhe as në kohën e Mbretërisë së Kastriotëve; as kur shtetet Italiane rivalizonin me kartat e Makiavelit dhe as kur Italia u unitarizua në vitin 1870 – lëvizjet në të dy anët e Adriatikut midis shqiptarëve dhe italianëve nuk janë ndërprerë.

Për shqiptarët brigjet e italianëve kanë qenë shpresa e fundit e lirisë dhe porta e parë drejt Perëndimit. Për italianët brigjet shqiptare kanë qenë ëndrra e pashuar Ballkanike dhe porta e parë drejt Lindjes. Për shqiptarët kultura italiane ishte pikëprerja e kulturës shqiptare me atë Evropiane. Për italianët kultura shqiptare ishte pikëprerja e dy anëve të Perandorisë Romake të Lindjes dhe të Perëndimit. Në fund të fundit për shqiptarët dhe italianët Ngushtica Otrantos nuk ishte pikëndarje, por pikëtakimi historik i dy popujve, dy vendeve dhe dy kulturave. E për konsekuencë Italia është vendi dhe populli fqinj i Shqipërisë dhe shqiptarëve që ka më pak albanofobi se çdo vend dhe popull tjetër fqinj.

Situata e albanofobisë në Itali gjithsesi paraqet problematikat e saj. Rrënjët i ka kryesisht në historinë e dy popujve, e cila ndan së bashku mijëra vite bashkekzistencë. Pikëtakimet historike shqiptaro-italiane nisin nga periudha Romake. Dinamikat politike mbas konsolidimit të Perandorisë Romake nuk kaluan pa kryqëzata mbi ilirët, por edhe pa sfida për Romakët. Natyrisht, ilirët ishin popull i vogël përballë një perandorie të madhe, ishin një kulturë unike përballë kulturës që dominonte Romën, ishin më të varfër përballë ndriçimit të pasurisë së një perandorie të tërë, ishin ushtarakisht më të limituar përballë armatave gjigante të Perandorisë Romake. Prandaj, në këtë konfrontim Iliro-Romak ishte krejtësisht e kuptueshme se humbësit e mëdhenj do ishin ilirët. Por, çfarëdo gjëje që të kenë humbur ilirët – ajo që ato ruajtën mrekullisht ishte të qënit ilir, të qënit të lirë, të qënit unik, autokton dhe autentik. Dhe jo vetëm kaq. Të mundur kuantitativisht nga Perandoria Romake, ilirët e “mundën” Romën kualitativisht, pikërisht përmes personaliteteve të tilla që kaluan caqet e Perandorisë Romake dhe kuadrin kohor të ekzistencës së saj. “Është e vërtetë se romakët i mundën ilirët pas luftërash dhe kryengritjesh që zgjatën me shekuj. Konsulli romak Paul Emili nuk mundi të nënshtrojë ilirianët edhe pasi ai rrafshoi për tokë më se 70 qytete të tyre dhe dërgoi në Romë si skllevër 150.000 epirotë – ilirë, me në krye mbretin e tyre Genc. Sipas historianit romak Suetona, kryengritja e ilirëve në vitet 6 dhe 9 pas Krishtit ishte më e tmerrshmja nga të gjitha luftërat që Roma ka bërë në botën e jashtme pas luftërave Punike. Roma nuk arriti t›i asimilojë ilirët. Përkundrazi, janë me dhjetëra perandorët që Iliria i dha Romës, sidomos kur Perandoria romake filloi të bjerë.

Midis perandorëve më të famshëm le të përmendim Konstantinin e Madh, që lindi në Kosovë. Qe Konstandini i Madh ai që u rreshtua vendosmërisht në anën e kishës Kristiane me Ediktin e Milanos të vitit 313, i cili u garantoi të krishterëve një tolerancë që ishte e barabartë me njohjen e kristianizmit si fe e shtetit. Sundimi i Konstandinit të I-rë shkëlqeu me ndërtimin e monumenteve kristiane, prej të cilëve po përmend Vatikanin. Edhe Perandori Justiniani i I-rë ishte ilir. Ai la si trashëgimi të lavdishme veprën e tij legjislative Kodi i Justinianit, që ka mbetur edhe sot e kësaj dite themeli i së drejtës civile moderne. Përkthyesi i parë i Biblës në gjuhën latine ka qenë iliriani Shën Hieronim. Kompozitori dhe himni kristian «Laudamus”… me përdorim edhe sot e kësaj dite është vepër e kompozitorit Niket Dardani, edhe ai ilirian nga Kosova. Duhet të pranojmë se ilirët në Evropë kanë qenë një nga popujt e parë që u kristianizuan, kjo vërtetohet edhe nga Bibla. Kur Shën Pavli shkoi në Iliri për të kristianizuar ilirët, ai gjeti në Durrës një kishë kristiane”.

Nga shekulli i IV i Erës së Krishtit dhe deri në shekullit XIV, për dhjetë shekuj të ndarjes së Perandorisë Romake në të Lindjes dhe të Perëndimit dhe të dy kishave, në katolike romake dhe ortodokse lindore shqiptarët përjetuan skizmën e madhe midis tyre. Populli i vogël dhe i lashtë shqiptar u përball me një proces të gjatë njëmijë vjeçarë ndarje midis dy anëve të krishtërimit botëror. Vija e Teodosit u ra shqiptarëve në mes, por nuk i ndau në asnjë pikëpamje dhe në asnjë aspekt. Identiteti etno-kulturor i mbijetoi mrekullisht ndarjes së Teodosit. Shqiptarët nuk kishin forcë që të mbanin të unifikuar Perandorinë Romake dhe as kishën krishtere. Por, as dy Perandoritë e krijuara dhe as kishat krishtere të ndara nuk patën fuqi që të përçanin identitetin etno-kulturor të shqiptarëve. Mbas mesjetës tragjike, shqiptarët dolën nga rrënojat e saj si një qenie e gjallë vitale, e ndritur dhe tërësisht autentike dhe autoktone në trojet e veta. Ky shkëlqim kulmoi në shekullin e XV-të në flamurin, identitetin, kulturën, trimërinë dhe lavdinë e Gjergj Kastriotit, Heroit të shqiptarëve dhe Atletit të Krishtit. Në epokën e ndritur të Kastriotit lulëzuan marrëdhëniet e shqiptarëve me Mbretërinë e Napolit, me Republikën e Venedikut, me Vatikanin, me Republikën e Raguzës. Kastrioti me trupat e tij kaloi disa herë Otranton në ndihmë të Mbretit të Napolit. Edhe Mbretëria e Napolit ndihmoi më së shumti Gjergj Kastriotin. Marrëveshje, traktate dhe forma të ndryshme bashkëpunimi u lidhën midis shqiptarëve dhe shteteve italiane, duke përfshirë edhe Vatikanin. Pushtimi otoman i shqiptarëve i hapi rrugën e dhimbshme të mërgimit të tyre jashtë trojeve të veta. Toka e parë ku shkelën emigrantët shqiptarë ishin brigjet e Italisë. Koha provoi se nuk kishin gabuar. Italia u bë toka e tyre e lirisë, atdheu i tyre i dytë. Vala e parë e emigrantëve shqiptarë që zbritën në Itali ishin elita aristokratike e princërve të vendit, që nuk e duruan dot pushtimin otoman. Koha do të provonte se për emigrantët arbëresh të epokës së Kastriotit Italia do të bëhej streha e ngujimeve të tyre. Në Itali arbëreshët do të ruanin origjinale historinë, kulturën, gjuhën, doket dhe zakonet, folklorin dhe çdo traditë të trashëgimisë që morën me vete nga Shqipëria. Do të ishte pikërisht kjo mërgatë arbëreshe që do i printe Rilindjes Kombëtare Shqiptare në gjysmën e dytë të Shekullit të XIX-të si dhe do të mbështeste fuqishëm procesin e bashkimit politik të Italisë në vitin 1870. Këto tradita shumë të vjetra të marrëdhënieve shumë humane midis popullit vendas Italian dhe mërgimtarëve arbëresh nga Shqipëria krijuan një shtrat miqësor të qëndrueshëm midis dy vendeve dhe popujve në të dy anët e Otrantos. Dukej që Otranto ishte shumë e ngushtë për të penguar lidhjet miqësore midis popujve dhe ishte shumë e gjerë për të lejuar të keqen që të kalonte nëpërmjet saj.

Natyrisht, ajo që nuk ndodhi në asnjërën nga periudhat e errëta të historisë midis dy popujve, italian dhe shqiptarë ndodhi në periudhën më të afërt të kohëve moderne. Ishte pikërisht periudha e rënies së regjimit komunist 50-vjeçar në Shqipëri që provokoi valën biblike të eksodit masiv shqiptar drejt brigjeve të Italisë. Kjo valë ishte tronditëse, e papritur, kaotike dhe e barsur me shumë probleme për shtetin dhe shoqërinë italiane. Emigrantët shqiptarë të rraskapitur nga varfëria, të trysnuar nga shtypja politike dhe të verbuar nga izolimi shumë i gjatë performuan në mënyra relativisht të papranueshme për shoqërinë italiane. Ishte pikërisht kjo valë me këtë performancë që krijoi disa perceptime albanofobie në shoqërinë Italiane, sidomos të përhapura nga media e këtij vendi. Ky perceptim i mbajtur gjallë për shumë vite nga mediat e shumta italiane krijoi stereotipe fobie ndaj shqiptarëve.

Krijimi i stereotipeve është problematik, sepse ngulit në memorie dhe në ndjenjat e njerëzve frikë, urrejtje dhe armiqësi, të cilat janë shumë vështirë për t’u fshirë nga shpirti dhe memoria e njerëzve, madje edhe kur janë zhdukur nga realiteti. Ndjenjat dhe pikëpamjet albanofobike në Itali lindën, pra, kryesisht nga valët emigruese mbas viteve ’90-të të shekullit të XX-të. Në stereotipet albanofobik në Itali shqiptarët perceptoheshin si kriminelë, trafikantë droge, qeniesh njerëzore dhe shkelës të rendit dhe të ligjit.

Në dekadën e dytë, pra në fillimin e viteve 2000, situata filloi të qetësohej, integrimi i emigracionit shqiptar në Itali po shoqërizohej dhe familjarizimet ndërkomunitare nisën të konsolidoheshin. Situata e albanofobisë, e stereotipeve të viteve ’90- të dukej se kishte mbetur si pjesë e historisë së largët midis dy popujve. Tanimë ka një tablo të ndryshme. Stereotipet albanofobike janë në zbehje të vazhdueshme në simetri të plotë me proceset e integrimit të emigrantëve shqiptarë në shtetin dhe shoqërinë italiane.

Ndikim të konsiderueshëm ka sjellë gjenerata e re shqiptare në Itali. Mbi 30 mijë të rinj shqiptarë vijojnë studimet në universitete italiane nga La Sapienza deri në Universitetin e Napolit dhe të Katanzaros. Artistë shqiptarë performojnë në Skala të Milanos me sukses të madh. Futbollistë kuqezinj kanë rrokur mijëra zemra fansash në stadiumet e klubeve italiane. Mjaft biznesmenë të mesëm dhe të vegjël janë bërë pjesë e jetës ekonomike private të suksesshme në Itali. Nuk ka asnjë dyshim, se krahasuar me shumë komunitetet të tjera të huaja emigruese në Itali, shqiptarët po bëhen nga më të integruarit dhe të natyralizuarit. Ky është një proces pozitiv, që shkon për nga ulja, zbehja deri edhe shuarja e mjaft stereotipeve albanofobe në shoqërinë italiane.