Ballina ED/OP Zgjedhjet e 6 tetorit, mes manipulimit dhe zhgënjimeve të mëdha! – Shkruan:...

Zgjedhjet e 6 tetorit, mes manipulimit dhe zhgënjimeve të mëdha! – Shkruan: Florim Zeqa

Të gjitha pushtetet e pasluftës, e në veçanti këto të pas pavarësisë, më shumë kanë punuar për realizmin e interesave personale të grupeve të interesit të politikës sesa për realizmin e interesave të qytetarëve, të cilat e udhëhoqën shtetin me krim të organizuar dhe korrupsion të palejueshëm për standardet e shteteve demokratike.
Shpërndarja e legjislaturë së gjashtë të Kuvendit të Kosovës dhe vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, vetëm sa ka shtuar pakënaqësitë qytetare ndaj klasës së tejkonsumuar politike, ngase këto zgjedhje do të jenë vetëm një farsë dhe maskaradë zgjedhore e radhës për sigurimin e shumicës në kuvend për miratimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe asgjë më shumë.
Shkuarja edhe kësaj radhe në zgjedhje pa reformë zgjedhore do t’u shkojë për shtati partive që kanë qeverisur deri më tani, të cilat në parlamentin e Kosovës do t’i delegojnë të njëjtat fytyra të stërvjetëruara, të korruptuara dhe inkriminuara politike.
Sikurse në zgjedhjet paraprake, edhe këto zgjedhje do të manipulohen, vjedhen dhe kontrabandohen nga nëntokat e partive politike
Emrat e rinjë në listat zgjedhore, kozmetikë mashtruese
Edhe pse janë futur njerëz të rinjë në pjesën e fundit të listave zgjedhore, në parlament do t’i kemi të njëjtit njerëz me mendësi të vjetër dhe udhëheqje të njëjtë.
Sikurse koalicionet para zgjedhore, ashtu edhe ato pas zgjedhore do të jenë vetëm marrëveshje interesi për përfitime personale pa asnjë strategji zhvillimore për vendin.
Futja e emrave të rinj në listat zgjedhore nga ana e partive politike është vetëm një kozmetikë mashtruese për opinionin publik kinse kanë bërë ndryshime dhe reforma brenda partiake, ku përveç kuotës gjinore nuk ka shans që  emrat e rinj të dalin fitues karrshi betejës brenda llojit me “veteranët” e pasuruar për dy, tre e katër mandate.
“Veteranët” me nga tre-katër mandate janë përseri uzurpatorët e pjesës më të madhe të listave kandiduese në secilën parti politike.
Klanet mafioze të partive të njëjta politike do të jenë përseri “boshti kurrizorë” i kuvendit.
“Juniorët” do të jenë vetëm numra që do të përdorën për interesa klanore për  votimin e agjendave partiake, që i bie se deputetët e rinjë do të dirigjohen nga “veteranët” dhe liderët partiak.
Shprehur në mënyrë figurative, deputetët e rinjë do të jenë “rrota” të reja të “karrocës” së kuvendit e cila do të drejtohet nga “timonierët” e vjetër.
“Ujqit e vjetër” do të vazhdojë me tenderomaninë, korrupsionin, skemat e njëjta kriminale që kanë kapur çdo institucion, kanë krijuar monopole antiligjore në çdo kompani publike dhe private.
Nga parafushata shihet qartë se partitë politike edhe në këto zgjedhje do ta  ndërlidhin mitin e UÇK-së dhe rugovizimit, me klientelizmin, nepotizmin dhe veteranomaninë për grumbullim të votave.
Siq ka ndodhur në fushatat tjera, edhe në këtë parafushatë partitë politike dhe kandidatët për kryeministra po proklamojnë të njëjta premtime. Dikush e ka në gojë ç’kapjen e shtetit, dikush taksën, e dikush tjetër luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, kapja dhe ç’kapja e shtetit do të bëhen sllogan neveritës i këtyre zgjedhjeve.
 Zgjedhjet e 6 tetorit nuk do të mund të prodhojnë një stabilitet afatëgjatë politik e aq më pak stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, për shkak se tashmë dihet qëllimi i tyre “madhorë”.
Prandaj rikthimi i subjekteve politike tek votuesi për të rimarrë një mandat të ri, është sigurimi i 2/3 së votave në kuvend për miratimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi e jo ndëshkimi për keq-qeverisjen 11 vjeçare siq duhej të ndodhte realisht.
Marrja me tema të „mëdha“, edhe kësaj radhe do ta lë anash zhvillimin ekeonomik dhe mirëqenjën qytetare.
Ata ose ato që tani po vëjnë vija të kuqe, pas zgjedhjeve do t’i largojnë nga vokabulari i tyre, si gjithnjë për të “mirën” e qyterarëve dhe vendimeve të “mëdha” për vendin.
Politikanët e papërgjegjshëm thirren pikërisht në tema të mëdha vetëm sa për ta hipnotizuar votuesin me gënjeshtra dhe mashtrime, për shkak se vendimet e mëdha për Kosovën nuk i marrin palët dialoguese, por i marrin fuqitë e mëdha, siq i kanë marrë në Rambuje dhe në Vjenë.
Pra, do të jenë fuqitë e mëdha në Bruksel e Washington, në Paris e Bruksel që do të vendosin për fatin e Kosovës, përkatësisht ndarjen përmes shkëmbimit të territoreve apo bosnjëzimin përmes “Zajendincës”, e cila “De facto” e shënon zgjidhjen finale (fatale) për Kosovën.
Servimi i temave të mëdha në fushatë zgjedhore nga ana e subjekteve politike, s’është gjë tjetër veqse demagogji e pastër politike e cila do të shfrytëzohet vetëm për akuza të ndërsjella për korrupsion, për krim të organizuar, për vrasje politike dhe për tradhti kombëtare.
Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve!?
Të njëjtin politikanë do t’i shohim së bashku dhe në përqafim të njëri-tjetrit në koalicone pas zgjedhore, duke e luajtur rolin e shpëtimtarit, e dikush tjetër duke e luajtur rolin viktimës zgjedhore.
Do të ngelën të mashtruar ata që harrojnë se këto zgjedhje janë të kurdisura për të siguruar shumicën në kuvend që voton marrëveshjen Kosovë-Serbi e kurrgjë më shumë e as më pak.
Ashtu siq është i gatshëm skenari për përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi, është duke u përgatitur edhe skenari  krijimit të qeverisë së re dhe përbërjes së Kuvendit të Kosovës për ta filluar dialogun me Serbinë dhe për ta votuar edhe marrëveshjen e dalë nga ky dialog, me shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
Edhe përbërja e re e deputetëve, do të jetë kryesisht përbërje e cila paraprakisht do të jetë e siguruar për kalimin e vendimeve të mëdha, të cilat vendime do të sjellin edhe ndarjen e Kosovës sipas orekseve serbe.