Ballina ED/OP Letër ambasadorëve (9) / DEMOKRACIA ËSHTË ABUZIM I STATISTIKAVE – Shkruan: Shefqet...

Letër ambasadorëve (9) / DEMOKRACIA ËSHTË ABUZIM I STATISTIKAVE – Shkruan: Shefqet DIBRANI

Problemet e brendshme në Kosovës janë të zgjidhshme, vetëm se duhet vullneti i Amerikës dhe aleatëve të saj nga vendet e BE-së!
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Të nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues të Misioneve Diplomatike në Kosovë, Jorge Luis Borges, që moti e ka thënë se “demokracia është një abuzim i statistikave”, prandaj duke u nisur nga ky koncept ne mendojmë se qytetari i Kosovës, nuk ka ku të ankohet, pastaj e ka të kotë të apostrofojë parregullsitë e shumta që po ndodhin në vendin tonë. Përkatësisht në sistemin udhëheqës në Kosovë. Po ashtu intelektuali i cili nuk është pjesë e grupeve të interesit dhe klientelës udhëheqëse, dhe nuk iu përshtatet redaksive e mediumeve publike e ka të vështirë të protestojë publikisht, sidomos në ato mediume të cilat kontrollohen nga klanet e interesit.
Në Kosovë e keqja është bërë Kodër dhe Mal?!
Kodër që nuk kalohet, e Mal që nuk depërtohet?!
Për ti konkretizuar këto vërejtje ne do të fokusohemi tek mënyra e zgjedhjeve si dhe mënyrat e listave për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019.
Ilustrimi është marrë nga interneti
Të nderuar Ambasadorë dhe Trupi Diplomatik në Kosovë, Ju jeni të informuar se Partitë Politike, sivjet kanë mbajtur zgjedhjet e tyre të brendshme, të cilat përveçse janë zhvilluar në të gjitha nivelet me parregullsi të shumta, ato i karakterizojnë defekte të mëdha konceptuale të cilat askund nuk lejohen nëpër zgjedhjet e brendshme në partitë e vendeve tuaja. Kosova ka 20 Vjet, që zhvillon demokracinë nën mbikëqyrjen tuaj, pra ka ndërtuar vullnetarisht një partneritet mbikëqyrës me Juve, dhe sipas gjendjes kaq kundërthënëse, nuk dihet nëse Ju i paskeni mësuar kështu për të vepruar, apo klasa politike është aq padëgjueshme sa që Juve u ka detyruar për të hequr dorë nga realizimi i normave të premtuara për funksionimin normal të demokracisë, ashtu siç aplikohet nëpër vendet tuaja.
Si po duket <Grupet e Interesit>, qenkan të fuqishme për të eliminuar këdo nga Elite Intelektuale brenda subjektit përkatës, në anën tjetër heshtja juaj është shqetësuese. Në Kosovë, për fat të keq, nuk ka asnjë zyre përkatëse, asnjë komitet që merret me vëzhgimin e zgjedhjeve të brendshme nëpër partitë politike, nëpër asociacione të shumta, nëpër Organizata Joqeveritare dhe aso të karakterit fetar, nga të cilat vazhdimisht po raportohet për veprime kundër statutit të tyre dhe të papranueshme për vendet me demokraci të konsoliduar, prandaj është krijuar kjo shpërputhje e madhe në mes demokracisë që kultivohet në Kosovë dhe asaj që praktikohet në vendet e Bashkimit Evropian.
Pa dyshim, qytetari i Kosovës është i handikapuar nga kjo mungesë e legjislacionit përkatës, në të cilën do të duhej qartë të potencohej se partitë politike e kanë për obligim ligjor, (në të gjitha nivelit), t’i mbajnë kuvendet zgjedhore në përputhe me ligjin, përkatësisht me rregulloren përkatëse të cilën e vëzhgon dhe kontrollon një Komisioni përkatës, një Organizatë e autorizuar, e pse jo vet Komisioni Qendror Zgjedhor, (KQZ), e cila do të kishte mandat ligjor e zyrtar për të bërë verifikimin e mbajtjes së procesit zgjedhor në përputhje me standardet që i kërkon Bashkimi Evropian.
Janë këto mangësi në procesin e brendshëm zgjedhor nëpër parti politike, që kanë prodhuar konflikte të shumta, që pastaj janë bartur edhe nëpër nëndegë, degë e deri në instancat më të lartat të partisë. Një klientelë kriminale është shtrirë kudo, këto grupe joformale udhëhiqen nga Kapoja që mund të jetë kryetari i partisë ose në institucionet e larta të shtetit. Tashmë në Kosovë, kryetari luan rolin e Sheikut ose të Despotit! Ai prenë dhe qep si të dojë, avancon dhe diskriminon sipas tekeve të tija personale, prandaj partitë politike në Kosovë, menaxhohen, kontrollohen dhe dirigjohen kryesisht nga një individ, i cili sillet sikur despot brenda Partisë.
Standardet e dyfishte janë një e keqe e madhe, pasi aty këtu nëpër disa degë të partive politike, ka pasur urdhëresa të shkohet me dy e më shumë kandidat për postin e kryetarit. Kjo ka ndodhur vetëm ku kanë vërejtur se kandidati vjen nga një rreth tjetër që nuk e kontrollon despoti i partisë nga lartë. Pastaj në disa raste ka improvizuar e provokuar konflikte që pastaj për ti anuluar ato zgjedhje të cilat nuk iu përshtateshin. E gjithë kjo lojë është bërë nëpër ato qendra ku e kanë pasur rrezikun nga ndonjë nismë për ndryshime. E në kundërshtim me logjikën demokratike, Kuvendet partiake, janë mbajtur nën masa të rrepta të sigurimit dhe policisë së shtetit, gjë që nuk kanë mbetur pa u parë e kritikuar, por despotët mbetën të tillë dhe vazhdojnë veprimet e njëjta deri sa të ndodhë ndonjë revoltë e gjerë dhe e paparashikuar.
Por veprim eklatant dhe skandaloz, mbetet mënyra se si janë zgjedhur kryetarët e partive të cilët nuk kanë pranuar kundër kandidat, kurse votimet janë bërë të hapura për t’i kontrolluar kundërshtarët eventual. Kjo mënyrë për zgjedhjen e kryetarit të partisë është në kundërshtim me të gjitha vlerat e demokracisë, dhe në kundërshtim me rregulloret për zgjedhjet e brendshme të vet partive politike në Kosovë. Tashmë rastet janë bërë skandaloze, ku në disa raste janë rizgjedhur disa herë, madje edhe struktura të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, të cilët në të gjitha zgjedhjet në nivel lokal dhe ato për pushtet qendror i kanë humbur zgjedhjet. Kjo metodologji është aplikuar edhe në nivel të degëve, edhe atje, kryetar të caktuar të cilët i kanë humbur zgjedhjet për pushtet lokal, përsëri kanë vazhduar me udhëheqjen e partisë, prandaj për të mbetur të paprekshëm ata kanë sistemuar një klientelë kriminale e cila papengueshëm po funksionon në këto 20 vjetet e paslufte, kudo nëpër Kosovë.
Shtrohet pyetja në cilën parti demokratike nëpër vendet tuaja mund të rizgjidhet për disa mandate kandidati me koncepte teknokrate e komuniste, pa iu nënshtruar votës së fshehur të forumit, kuvendit etj. Kandidat ky që partisë i ka sjellë vetëm humbje, përçarje dhe format më antidemokratike. Prandaj iu bëjë thirrej që të jeni më të përmbajtur në takimet me ta, sepse si duket edhe përkthyesit tuaj dhe ata që iu përgatisin informacione për këtë kategori i kanë falsifikuar biografit e tyre. Andaj një Verifikim – Vettingështë i domosdoshëm, pasi ka indikacione se Shërbimet e Fshehta antiamerikane dhe antievropiane janë futur kudo për të krijuar këtë kaos çfarë e kemi në Kosovë.
Po ashtu shtrohet pyetja logjike nëse në vendet tuaja ka ndodhur, për të satën herë kryetaret të zgjidhen pa kundër kandidat dhe vetëm me votë të hapur?! E si ka mundësi me kaq shkelje të demokracisë të mbështetën e të përkrahen këta kandidat, të cilët vetëm në saje të heshtjeve tuaja janë ricikluar nëpër poste udhëheqëse edhe në nivel shteti. Për fat të keq këto veprime kaq kriminale dhe kaq antidemokratike, janë dhe po përkrahen edhe nga ju të nderuar Ambasadorë dhe nga ju të nderuar përfaqësues diplomatik në Kosovë. Kjo e keqe është zgjeruar sepse kjo klientelë, po përkrahet edhe nga personalitete me ndikim në vendet tuaja duke u prodhuar një klimë me standarde të dyfishta.
Një dukuri tjetër, shumë e dëmshme për demokracinë, është aderimi nga një parti në tjetrën, kurse të tjerë pa qenë kurrë anëtarë i një partie po futen nëpër kryesitë e partive dhe madje edhe nëpër listat me kandidat për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, veprim ky në kundërshtim me të gjitha vlerat e demokracisë, që për fat të keq, përmes heshtjes tuaj, këto shkelje sikur po pranohen edhe nga Ambasadorët dhe Organizata të tjera me ndikim, por më duket se nuk janë të informuar sa duhet për këto abuzime të mëdha politike dhe me falsifikime të proceseve zgjedhore.
Tashmë ky konfuzion i krijuar, adresën e ka në gabimet fatale nga këto avancime të pamerituara, të cilat ia kanë humbur vlerën të qenit anëtarë dhe veprimtar i dinjitetshëm i partisë në fjalë. Shtrohet pyetja mbi cilin moral udhëheqin këto individ, kur pa pasur asnjë meritë vijnë në vendet kyçe, a nuk është ky veprim një keqpërdorim flagrant i votës së lirë dhe i konceptit demokraci. Prandaj, kaosi i koncepteve dhe i formave të veprimit është rezultat i këtij defekti i cili me sa di nuk është kritikuar nga ju, përkundrazi kryetarët e zgjedhur me këto forma, përshëndeten dhe përkrahen, madje edhe nga zyrtar të lartë të vendeve tuaja, ndonëse këto veprime janë në kundërshtim me politikat e vendeve tuaja për proceset zgjedhore.
Nëse një kandidat pa qenë strukturë e partisë futet në listë dhe zgjidhet deputet, dhe ai përfaqëson konceptin e partisë. A ka shpjegim ky veprim?! Më duket se po, vetëm nëse Parlamentin e konsiderojmë se është Universiteti! Tash shtrohet pyetja, me këtë formulë të avancimit deri në nivel deputeti, a duhet të lejohet që edhe mësimdhënës universitar të bëhet individi që nuk e ka të mbaruar shkollimin fillor, të mesëm, të lartë dhe pasuniversitar?! A lejohet që edhe në Universitet si në Parlament të futet e të ligjërojë përpara studentëve ai individ që nuk i ka kaluar shkallët e rregullta të avancimit akademik A ka farë logjike ky shembull që morëm. Kjo kategori po abuzon me vlerat e demokracisë dhe me situatën kaotike duke ardhur në Parlament e në kryesi të Partive, krejt në mënyrë të pamerituar dhe çirret se do të respektoj ligjet dhe do të bëjë reforma!
Nëse një individ nuk mundet dhe nuk lejohet të bëhet ligjërues pa shkollim adekuat, si ka mundësi në politikë të ndodh e kundërta, ku kemi gjithë këtë abuzim me demokracinë. Këtu shtrohet pyetja mbi cilin moral mbrojnë konceptin e partisë këta zvarritës nga partia në parti, nga koncepti në koncept. E për më zi, e për më keq, ka individ që deri dje kanë sharë, kanë abuzuar, madje duke shantazhuar kryetarin e partisë, dhe brenda natës i ndryshojnë qëndrimet për t’iu përulur pa kushte diktatorit. Kurse, brenda për brenda partisë ky nënshtrim është një lloje prostitucioni i llojit të vet, ky abuzim është edhe më çnjerëzor, më antidemokratik dhe më primitiv në nivelet lokale në degë e nëndegë të partive politike. Prandaj do të ishte mirë një Verifikim-Vettingpër këtë kategori konvertitësh të cilët po abuzojnë me vlerat e demokracisë, vlera këto që po përpiqen ti ndërtojë në vendin tonë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të nderuar Ambasadorë dhe ju Trupi Diplomatik i akredituar në Kosovë, janë këto disa arsye pse kemi gjithë këtë kaos konceptesh kundërthënëse, kemi gjithë këtë klientelë të sistemuar kudo, e cila nuk ka mundësi për ta ndal korrupsionin kur vetë janë të korruptuar, nuk ka mundësi të flas për respektim të vlerës demokratike kur vet kanë abuzuar me mandatet udhëheqëse në parti e në qeveri, madje kjo klientelë dyshohet se i kanë kapur edhe përkthyesit dhe këshilltar pran trupit diplomatik në Kosovë dhe kudo janë shtrirë nëpër zyrat përkatëse të diplomacive ku kanë nën kontrollin e tyre shumë syresh, pra si duket edhe ata janë pjesë e kësaj klientele që kanë për detyrë të shtrembërojnë realitetin në njërën anë, kurse në anën tjetër, sa më shumë ti lënë larg jush dhe larg opinionit Elitën Intelektuale e cila mund të bëjë ndryshime, sepse vetëm ajo elitë do të kishte ndërtuar partneritet të sinqertë me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjitha strukturat tjera relevante në nivel botëror.
Janë këto disa nga arsyet pse NE bëjmë thirrje publike për një hetim të të gjithë atyre që servojnë informacione tek shërbimet tuaja, pastaj një Verifikim – Vetting, është i domosdoshëm edhe për strukturën politike që do të udhëheq Kosovën pas zgjedhjeve të 06 tetorit 2019, duke i përfshirë të gjithë individët që po bëjnë abuzim me demokracinëdhe kanë edhe standarde të dyfishta!
Vijon…
St. Gallen, 10 shtator 2019.
*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.