Ballina Bota Afro 1,500 të vdekur nga vera e nxehtë në Francë

Afro 1,500 të vdekur nga vera e nxehtë në Francë

People sunbathe and wade in a fountain on the Trocadero Esplanade, across from the Eiffel Tower, on May 26, 2017 in Paris. / AFP PHOTO / JACQUES DEMARTHON

Vala rekord e të nxehtit në Francë, e regjistruar në muajt qershor dhe korrik, la 1,435 njerëz të vdekur, tha ministrja e Shëndetësisë e këtij vendi, Agnes Buzyn.

Duke folur për Radio Francën, Buzyn tha se gjysma e viktimave kanë qenë mbi 75 vjeç.

Ajo shtoi se, falë masave parandaluese, norma ka qenë dhjetë herë më e ulët se në periudhën e njëjtë në vitin 2003, kur Evropa është përfshirë nga një tjetër valë vdekjeprurëse e të nxehtit.

Franca shënoi temperaturën prej 46 gradësh Celsius në qershor, që është më e larta në historinë e saj.

Në kryeqytetin Paris po ashtu u shënua temperaturë rekorde prej 42.6 gradësh Celsius në korrik.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 567 persona vdiqën në periudhën 24 qershor – 7 korrik, ndërsa 868 të tjerë vdiqën nga 21 deri më 27 korrik.

Gjatë periudhave të nxehta, shumë shkolla u mbyllën dhe disa ngjarje publike u anuluan, për të minimizuar ekspozimin e publikut.

Temperaturat e larta thyen rekorde sivjet edhe në vende të tjera të Evropës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikën, Gjermaninë, Luksemburgun dhe Holandën.