Rusia dhe Ukraina kanë përfunduar procesin e gjatë të shkëmbimit të të burgosurve.
Të liruarit përfshijnë 24 marinar ukrainas si dhe një person të përfshirë në aksidentin e rrëzimit të avionit MH17 që la të vdekur 298 persona. Ky shkëmbim pritet të ulë tensionet midis dy vendeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se duhet të bëjmë të gjithë hapat e nevojshëm për të përfunduar këtë luftë të tmerrshme. Rusia tha se është e kënaqur që qytetarët u kthyen në shtëpi.
Marrëdhëniet midis dy vendeve eskaluan më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës si dhe separatistët pro-rusë filluan rebelimin në dy rajonet e Ukrainës lindore. Më shumë se 13,000 persona ishin vrarë në konfliktin e Donjeskut dhe Luhanskit.
Kush janë të burgosurit?
Regjisori Oleg Sentsov u arrestua gjatë një proteste kundër aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në vitin 2014, dhe u shpall fajtor për komplot të akteve terroriste.
Ai mohoi akuzat përderisa Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe vende tjera thanë se gjyqi i tij ishte i motivuar politikisht.
Marinarët e ndaluar u kapën së bashku me tre anije detare, ndërsa ata u përpoqën të kalojnë përmes ngushticës Kërç, e vetmja çasje në portet e Ukrainës në Detin e Azovit.
Në muajin maj një gjykatë ndërkombëtare urdhëroi Rusinë të lirojë marinarët dhe anijet.
Një avokat rus tha për agjencinë e lajmeve Tass se disa të burgosur rusë po përgatiteshin për një shkëmbim të mundshëm. Sipas avokatit, ata janë persona të dënuar për komplot të sulmeve në Ukrainë.