Ballina ED/OP Albanofobia në Maqedoninë e Veriut (Fragment nga libri “BALLKANI-Diplomacia e munguar”)...

Albanofobia në Maqedoninë e Veriut (Fragment nga libri “BALLKANI-Diplomacia e munguar”) -Nga Prof. Lisen Bashkurti

Gjatë historisë së Jugosllavisë së AVNOJ-it të krijuar nga komunistët jugosllave me Josip Broz Titon menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore (1945), Maqedonia ishte njësi federative, që kishte shqiptarë brenda saj. Komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Federatës Jugosllave ka përjetuar përgjithësisht një trajtim të diferencuar, pak a shumë të përafërt me atë të pakicave shqiptare të shpërndara nga Tito në Republikën e Serbisë dhe Malit të Zi. Gjatë historisë së Federatës Jugosllave përjashtim ka bërë trajtimi i shqiptarëve në Slloveni dhe Kroaci. Në këto dy republika, pra në Kroaci dhe Slloveni shqiptarët ndjeheshin më të barabartë, më të pa padiskriminuar dhe të mirë integruar në shoqëritë e dominuara nga kroato-sllovenët. Kroatët dhe sllovenët i konsideronin shqiptarët si mbështetës të doktrinës së tyre federaliste, e cila synonte të mbante Jugosllavinë e fortë mbi një Serbi të dobët. Për Kroatët dhe Sllovenët, shqiptarët ishin komuniteti etnokulturor i tretë i fuqishëm në Federatën Jugosllave, që ishte konsistent kundër Serbisë dhe përpjekjeve të saj për dominim të centralizuar mbi Federatën Jugosllave.

Republika e Maqedonisë në kuadër të Federatës Jugosllave u krijua nga Tito si një njësi amortizimi midis pretendimeve etno-kulturore të Bullgarëve (në Lindje), Shqiptarëve (në Perëndim), Grekëve (në Jug) dhe Serbëve (në Veri). Në qendër të krijimit të Republikës Maqedone qëndronte një komunitet i vogël maqedonësh, me origjinë dhe lidhje me një pakicë në Bullgari. Nga historia, kultura dhe gjuha ngjasonin tërësisht me bullgarët. Ishin një komunitet pa ndonjë identitet të veçantë historik, kulturor dhe gjuhësor. Jetesa thuajse 50-të vjeçare në kuadër të Federatës Jugosllave i krijoi hapësirë këtij komuniteti të vogël maqedon pa ndonjë identitet të veçantë, që të krijonte jetën e vet politike, institucionale, ekonomike dhe kulturore si dhe të formonte elitën e vet intelektuale.

Këto baza modeste shërbyen si themelet e krijimit të Shtetit Maqedon mbas shpërbërjes së Federatës Jugosllave. Maqedonia, falë lidhjeve të saj të shumta me Serbinë u nda nga Jugosllavia pa konflikte të armatosura, por paqësisht. Kjo ndarje i krijoi elitës maqedonase ndjenjën e supremacisë politiko-diplomatike dhe shtetformuese mbi komunitetet e tjera, duke përfshirë edhe shqiptarët, të cilët përbënin një komunitet shumë të madh në vend. Kjo ndjenjë supremacie dhe njëkohësisht nënvleftësuese ndaj shqiptarëve i nxiti maqedonasit të miratonin kushtetutën e parë të Shtetit të Pavarur, në të cilën Maqedonia shpallej si shtet i maqedonasve.

Pra qysh në kushtetutë nisi diskriminimi ndaj shqiptarëve. Ky diskriminim erdhi duke u thelluar në aspektet politike, institucionale, ekonomike dhe sociale, arsimore e kulturore. Akumulimi i gjatë i diskriminimit etnik të shqiptarëve nga pala maqedonase provokoi krizë të marrëdhënieve ndër-etnike shqiptaro-maqedonase në vitin 2001.

Kriza mori përmasat e konfliktit të armatosur midis UÇK (Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare) dhe Armatës Maqedone (G. Ostreni: “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, Dibër, 2014, faqe 140-153, ISSN 978- 9989-2650-6-8 ). Vendi do të shkonte drejt shpërbërjes, nëse nuk do të ndërhynin fuqishëm faktorët ndërkombëtarë, ShBA, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Faktorët ndërkombëtar nisën bisedimet intensive nga pranvera e vitit 2001 për të dizajnuar një draft-marrëveshje, e cila do të firmosej nga palët në konflikt, shqiptarët dhe maqedonasit si dhe nga faktorët ndërkombëtar, ShBA dhe BE 18. Në gusht të vitit 2001, draft-marrëveshja mblodhi krerët e shtetit dhe të politikës së Maqedonisë, maqedonas dhe shqiptarë së bashku me ndërmjetësuesit ndërkombëtar në Ohër (Ohrid Frameëork Agreement, August 2001). Mbas pak negociatash palët firmosën Marrëveshjen Kuadër të Ohrit, e cila hapi një faqe të re për shtet-formimin demokratik të Maqedonisë mbi baza pluraliste demokratike dhe multietnike. Lindi nevoja e ndryshimeve kushtetuese, ligjore dhe institucionale, nëpërmjet të cilave faktori etnik shqiptar shpallej element konstituiv shtet-formues. Kushtetuta e re e vitit 2001 i dha fund ambicieve nacionaliste unitariste të maqedonasve. Për shqiptarët nisi një etapë e re.

Por, proceset reale përparojnë, ndërsa historia rëndon si hije në perceptimet dhe ndjenjat e njerëzve. Kësaj dukurie nuk i shpëtoi dot as shoqëria maqedonase. Reminishencat e diskriminimit të gjatë të shqiptarëve nën Maqedoninë Jugosllave (1945-1991), diferencat në zhvillimin ekonomik dhe social, arsimor dhe kulturor të shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë (1991-2000) si dhe pasojat e konfliktit ndër-etnik shqiptaromaqedonas (2000-2001) lanë gjurmë të thella në stereotipet albanofobe në shoqërinë maqedonase, e prej saj në jetën politike, institucionale, ekonomike dhe në fusha të tjera. Kështu, gjurmët më të thella në albanofobinë e maqedonasve i kanë lënë ngjarjet e vitit 2001. Maqedonasve iu duk sikur i ra shteti, liria, pavarësia dhe gjithçka që kishin ëndërruar. Kjo situatë ishte thjeshtë fiksion. Në fakt, ngjarjet e 2001 zbritën ëndrrat në realitete. Sidoqoftë tensionet etnike të atij viti, ngjarjet e rënda, tragjeditë e shkaktuara përkeqësuan shumë marrëdhëniet njerëzore shqiptaro-maqedonase.

Me gjithë ndryshimet e mëdha pozitive që pasuan në Maqedoni mbas Marrëveshjes Kuadër të Ohrit sërish niveli i albanofobisë nuk u fashit. Kësaj situate i ndikuan shumë për keq jo vetëm politika e ditës, por edhe intelektualët dhe shkencëtarët maqedonas. Intelektualët dhe shkencëtarët e Maqedonisë, individualisht dhe institucionalisht, përmes Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve botuan në vitin 2009 enciklopedinë e parë të vendit. Në këtë enciklopedi, shqiptarët pasqyroheshin me definicione jo shkencore, denigruese dhe fyese. Shqiptarët quheshin nga shkencëtarët maqedonas në enciklopedi si primitivë, malësorë e të paqytetëruar. Duke falsifikuar gjithçka që shkencat shqiptare dhe Evropiane kishin zbuluar dhe konfirmuar për autoktoninë dhe autenticitetin e shqiptarëve në trojet e veta në Ballkan, shkencëtarët maqedonas në këtë enciklopedi shkruanin se shqiptarët paskëshin ardhur në Ballkan nga shekulli i XVI-të 20. Publikimi i enciklopedisë maqedonase provokoi reagime të forta të studiuesve shqiptarë në mbarë Ballkanin si dhe protesta të fuqishme qytetare. Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve u detyrua nën presion që të tërhiqte enciklopedinë nga tregu (Rashidi, Nazim: “Dënohet Enciklopedia maqedonase”. BBC. Retrieved 28 November 2012).

Albanofobia në Maqedoni ka përfshirë edhe sportet dhe sportdashësit. Kështu, në vitin 2012, tifozët e ekipit kombëtar të volejbollit të Maqedonisë fituan kundër Çekisë në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Serbi. Mbas fitores me çekët, tifozët së bashku me sportistët maqedonas filluan të hidhnin slogane kundër shqiptarëve. Sikundër kemi pasur rast ta konstatojmë edhe në vende dhe popuj të tjerë, sporti, si një veprimtari shoqërore e mbarsur me shumë emocione reflekton, në fakt më shumë se në mjaft aspekte të tjera atë që fshihet si nënshtresë e ndjenjave të popujve për njëri-tjetrin (http://alsat-m.tv/lajme/vendi/110230.html). E njëjta atmosferë albanofobe vijoi edhe gjatë e mbas ndeshjes me Danimarkën me 22 janar 2012 (http://alsat-m.tv/lajme/vendi/110668.html ).

Nuk kanë munguar edhe albanofobët në radhët e klerit ortodoks maqedonas. Me 10 mars të vitit 2012 u shkarkua një video në YouTube nga një grup religjioz maqedonas i quajtur “Organizata Kristiane”, në të cilin jepeshin pamje duke u djegur flamuri shqiptar dhe duke bërë thirrje për bashkimin e të krishterëve kundër shqiptarëve me të vetmin qëllim për t’i përzënë ato nga vendi. (Tozaj, Arta: “Macedonians burn Albanian flag”, Top Channel. Retrieved 2012-03- 12 )

Media shqiptare prestigjioze, Top Channal e kritikoi ashpër këtë shfaqje ekstreme albanofobie dhe i bëri thirrje qeverisë maqedonase që të distancohej nga këto fobi që janë të rrezikshme për vendin dhe marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. (http://www.top-channel.tv/english/artikull.php?id=5466;http://alsat-m.tv/lajme/vendi/127294.html) Edhe pas më shumë se dhjetë vitesh nga firmosja e Marrëveshjes Kuadër të Ohrit në Maqedoni incidentet albanofobe kanë vijuar në vazhdimësi dhe qëndrimi i Qeverisë së këtyre viteve 2006-2014 (VMRO-DPMNE) nuk ka ndryshuar në këtë aspekt thuajse asgjë. Më 12 prill 2012 nga zyrtarët dhe mediat maqedonase u dha lajmi se pesë qytetarë maqedonas u vranë nga shqiptarë etnikë. Kjo ngjarje thuhej se ndodhi në Liqenin Železarsko. Rasti u epitetua si “monstra”. Mbas afër dy vitesh Gjykata e Rajonit 1 të Shkupit dënoi grupin e akuzuar shqiptar me burgime të përjetshme. Avokatë, ekspertë, juristë, politikanë, intelektualë dhe gazetarë ngritën në këmbë tërë opinionin publik shqiptar, duke e quajtur këtë vendim gjykatë tërësisht politik dhe antishqiptar. Qindra mijëra shqiptar u ngritën në manifestime proteste në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Dibër, Strugë. Madje manifestime u zhvilluan edhe në Shqipëri, Kosovë, Amerikë, Angli, Gjermani, Zvicër e kudo ku ka emigrantë shqiptarë në botë. Reagime erdhën edhe nga diplomacia Perëndimore, BE dhe ShBA. Në kundër-reagim grupe etnike maqedonase organizuan kundra manifestime me parulla “Vdekje Shqiptarëve”, “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”. Thuajse një vit më vonë, me 28 shkurt 2013 dhjetë fëmijë të vegjël shqiptarë u sulmuan fizikisht dhe u goditën me thika dhe objekte të forta nga gangsterë maqedonas me maska. Fëmijët u plagosën shumë rëndë dhe u dërguan urgjentisht për mjekim. Sipas të dhënave që deklaruan dëshmitarët okularë, ndonëse policia u njoftua menjëherë patrulla e saj erdhi në vendngjarje thuajse 40 minuta më vonë, duke rrezikuar seriozisht jetën e fëmijëve (Alsat-M: “Incident, sulmohen dhjetëra nxënës shqiptarë”, 28 February 2013).

 Me incidente të mëdha u shoqërua edhe emërimi i Ministrit të Mbrojtjes, shqiptari Talat Xhaferi, nga komuniteti maqedonas mbas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2014. Protestuesit maqedonas reaguan me mjete dhune, me gurë dhe përleshje kundër këtij emërimi. U plagosën tre civilë dhe afro pesë policë në këto manifestime të dhunshme si dhe u bënë dëme të mëdha mbi bizneset dhe pronat private. Gjithashtu u plagosën edhe pesë infermierë të shërbimit mjekësor me origjinë shqiptare. Flamuri shqiptarë u dogj në mënyrë demonstrative (Alsat-M:”Protesta e huliganëve para Qeverisë, digjet edhe flamuri shqiptar”. 2 March 2013).

Në vazhdën e incidenteve albanofobe në Maqedoni, me 3 mars 2013 një vajzë etnike shqiptare u qëllua në Shkup nga dy burra maqedonas me maska. Gangsterët maqedonas e goditën vajzën e pafajshme shqiptare me raketa bejsbolli dhe me thikë në fytyrë (Alsat-M: “Sulmohet nxënësja në Shkup. MPB deklaratat e nxënëses kontradiktore”, 20 March 2013 ). Po në të njëjtën javë, një djalë i vogël shqiptar në moshën 10 vjeçare u sulmua nga një gangster maqedonas me maskë. Huligani maqedonas e goditi rëndë djalin e vogël shqiptar sepse ky i fundit refuzoi që të puthte kryqin ortodoks maqedon. Djali i vogël shqiptar ishte i besimit mysliman (Alsat-M: “Sulmohet nxënësja në Shkup. MPB deklaratat e nxënëses kontradiktore”. 20 March 2013).

Në tërësi e vështruar nga ana sasiore, Komiteti i Helsinkit në Republikën e Maqedonisë konstaton me datë 23 Korrik 2014 se në këtë vend për një periudhë 12-mujore nga viti 2013-2014 janë shtuar konfliktet ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonase. Komiteti i Helsinkit (KH), vetëm për një vit ka regjistruar 175 krime të nxitura nga urrejtja, shumica e të cilave ose 128 janë cilësuar si incidente me motive etnike. Këto të dhëna u paraqitën me rastin e Ditës Evropiane të Viktimave të Krimit të urrejtjes. Komiteti i Helsinkit kritikon shtetin për mos regjistrimin e rasteve të nxitura nga urrejtja etnike dhe mos dënimin e tyre me qëllim parandalimi. Drejtoresha e KHsë, Urania Pirovska deklaroi se incidentet e shumta me motive etnike dëshmojnë se në Maqedoni toleranca mes komuniteteve mungon. Konkretisht raporti në fjalë thekson: “Sot dolëm me të dhëna se në platformën e Komitetit të Helsinkit janë regjistruar 175 raste dhe incidente të nxitura nga urrejtja. Madje 128 prej tyre kanë motive etnike. Rastet e fundit të lidhura me rastin Monstra edhe një herë e vërtetuan se si janë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Viktimat e këtyre rasteve, shumica janë pjesëtare të dy grupeve më të mëdha etnike, asaj maqedonase dhe shqiptare dhe në të shumtën e rasteve janë të mitur” (Urania Pirovska: “Shtohen incidentet ndëretnike në Maqedoni”, Balkanweb.com. Komiteti i Helsinkit, 23 Korrik 2014).

Sikundër shikohet nga pasqyra e rëndë dhe e vazhdueshme e situatave, ngjarjeve dhe incidenteve në Maqedoni, në disa raste edhe tragjike, gjendja e albanofobisë në atë vend është e rëndë, e përhapur gjithandej, në mjedise, vende dhe kategori të ndryshme të shoqërisë maqedone. Më shqetësues është fakti se strukturat shtetërore, qeveritare, politike, sikundër edhe ato intelektuale, akademike e klerikale jo vetëm nuk punojnë për të zbutur këtë situatë, por shpesh herë janë bërë pjesë e mbajtjes gjallë dhe e përkeqësimit të saj. Maqedonia, duke qenë një shtet dhe shoqëri me përbërje multietnike në të cilën faktori shqiptarë është kushtetues dhe ekzistencial për vetë atë, marrëdhëniet ndëretnike mbeten përcaktuese për ruajtjen e unitetit të shtetit dhe të kohezionit social të shoqërisë. Në këtë kuptim, në rastin “Maqedoni”, albanofobia është direkt kundër interesave të vetë maqedonasve dhe shtetit që po ndërtojnë. Aktualisht në Maqedoni vijon të ketë një asimetri midis përbërjes multietnike, me determinim shqiptaro-maqedon dhe politikës, sjelljes dhe qëndrimeve zyrtare dhe institucionale albanofobe. Përderisa kjo asimetri do vazhdojë të ekzistojë me këto përmasa dhe shtrirje, Maqedonia do të përfshihet herë pas herë në kriza politike dhe ndëretnike që do të gërryejnë unitarizmin e shtetit, funksionimin e demokracisë, bazat e ekonomisë dhe biznesit si dhe kohezionin social të mbarë shoqërisë.

Strukturat politike shqiptare në Maqedoni, partitë kryesore BDI dhe PDSh janë mjaft të konsumuara politikisht dhe të kompromentuara me bashkëqeverisjet maqedonase, saqë e kanë humbur shumë besimin tek shqiptarët etnikë. Ndërsa faktorët shqiptarë jashtë Maqedonisë politike, kryesisht Shteti Shqiptar dhe Shteti i Kosovës kanë qenë aktiv, por njëkohësisht edhe shumë të vetëpërmbajtur me qëllim që të mos ndikonin në destabilitetin e mëtejshëm të këtij vendi dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor.