Deri më tani, sëmundjet e zemrës kanë qenë shkaktari kryesor i vdekjeve në botë.
Por, tani kjo po ndryshon, pasi shkencëtarët kanë zbuluar se sëmundja e kancerit i ka tejkaluar sëmundjet e zemrës si shkaktaret kryesore të vdekjeve në botë.
“Nëse vazhdojnë trendet aktuale, kanceri do të bëhet vrasësi më i madh në botë” deklaruan shkencëtarët.
Duke publikuar gjetjet e dy studimeve të mëdha, në revistën mjekësore The Lancet, shkencëtarët thanë se ata gjetën prova të një “tranzicioni” të ri global midis llojeve të ndryshme të sëmundjeve kronike.
Ndërsa sëmundjet kardiovaskulare, tani për tani, janë shkaku kryesor i vdekshmërisë në të gjithë botën, mes të rriturve të moshës së mesme, kjo nuk ndodh më në vendet me të ardhura të larta, ku kanceri tani vret dyfish më shumë njerëz, sesa sëmundjet zemrës, treguan studimet.
“Raporti ynë zbuloi se kanceri ishte shkaku i dytë më i zakonshëm i vdekjeve globalisht në vitin 2017, duke përbërë 26% të të gjitha vdekjeve. Por, ndërsa shkalla e (sëmundjeve të zemrës) vazhdon të bjerë, kanceri ka të ngjarë të bëhet shkaku kryesor i vdekjes në të gjithë botën, brenda vetëm disa dekadave”, tha Gilles Dagenais, një profesor në Universitetin Laval të Kuebekut në Kanada.
Nga rreth 55 milion vdekje në botë, në vitin 2017, studiuesit thanë, se rreth 17.7 milion ishin për shkak të sëmundjes kardiovaskulare.
Rreth 70 për qind e të gjitha rasteve me sëmundje kardiovaskulare u shkaktuan për shkak të rreziqeve siç janë presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, dieta, pirja e duhanit dhe faktorë të tjerë të mënyrës së jetesës.