Ballina Aktualitet Marrëveshjen në Itali e vendos platforma online, e njohur si “Rousseau”

Marrëveshjen në Itali e vendos platforma online, e njohur si “Rousseau”

Marrëveshja e arritur mes lëvizjes “5 Yjet”, në Itali dhe rivales së saj, Partisë Demokratike të qendrës së majtë, nuk e ka kaluar ende pengesën e fundit.

Që pakti të vihet në jetë, ai duhet të marrë dhe “pëlqimin” e anëtarëve të Lëvizjes Populiste përmes një votimi në internet. Platforma online, e njohur si “Rousseau”, do të votohet të martën.

Nëse ujdia merr dritën jeshile të bazës së “5 Yjeve”, sipas kryeministrit në detyrë, Giuseppe Conte, Italia do ta ketë kabinetin e saj qeveritar, brenda mbrëmjes së të mërkurës.

Por nëse ajo refuzohet, vendi në muajin nëntor, shkon në zgjedhje të parakohshme. Vetë themeluesi “5 Yjeve“, Beppe Grillo e miratoi publikisht marrëveshjen gjatë fundjavës dhe i kërkoi PD që ta shfrytëzojë mundësinë e “veçantë” për të qeverisur së bashku.

“Le të ëndërrojmë, të kemi një vizion,” thoshte ai në një video të postuar në blogun e tij. Lëvizja Populiste shënoi një rritje në sondazhe, pas vulosjes së ujdisë me demokratët e majtë, ndërsa Lega e Salvinit pati një tkurrje, por pa rënë sidoqoftë nën nivelin e 30% të popullaritetit. Një anketim i publikuar së fundi nga Corriere Della Sera tregonte se PD e drejtuar dikur nga ish kreu i qeverisë, Matteo Renzi, renditet e treta pas tyre me 22.3% te preferencave.