Ballina Aktualitet Anketa e BQA: Arsyet e emigracionit të lartë në Shqipëri nuk janë...

Anketa e BQA: Arsyet e emigracionit të lartë në Shqipëri nuk janë vetëm ekonomike

Banka Qendrore e Austrisë (BQA) publikoi këto ditë rezultatet e një ankete të zhvilluar në fund të vitit 2017 në vendet e cilësuara si rajoni CESEE dhe zbuloi se, 8.3% e personave në moshë pune (25 deri 64 vjeç) synojnë të emigrojnë brenda një viti, por tendencat janë më të theksuara në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi.

Në shumicën e vendeve, të rinjtë janë ata që duan të emigrojnë më së shumti dhe planet për emigracion nuk ndryshojnë nga nivelet e të ardhurave. Pjesa e të anketuarve që synojnë të migrojnë brenda vitit është më e lartë në Maqedoni (17.8%), Shqipëri (11.8%) dhe Serbi (10.4%) dhe më e ulëta në Republikën Çeke (1.9%) dhe Poloni (4.3%).

Emigracioni është më shumë i përhapur te meshkujt e rinj. Papunësia është arsyeja kryesore që çon drejt emigracionit. Përveç faktorëve individualë ekonomikë, po zgjerohen disa faktorë të tjerë që nuk lidhen me ekonominë personale.

Të jetosh në një rajon të depresionuar ekonomikisht ose në zhvillim, i karakterizuar nga një nivel i ulët i aktivitetit ekonomik, papunësi e lartë dhe të ardhurat e ulëta është gjithmonë një shtysë për emigracion.

Edhe mungesa e besimit tek institucionet e brendshme i ka shtyrë më shumë banorët e Ballkanit të emigrojnë jashtë vendit.

Por teksa emigrimi në rajon po nxitet nga faktorë ekonomikë, në vitet e fundit emigrimi për arsye jo ekonomike po zgjerohet. Rezultatet tregojnë se, midis 2010 dhe 2015, synimet për të emigruar u përhapën më shumë. Raporti zbuloi më tej se faktorët jomonetarë luajnë një rol të rëndësishëm, veçanërisht cilësia e jetës po merr rol.

Emigracioni për arsye të shkollimit të fëmijëve për një jetë më cilësore në kuptimin e shërbimeve dhe cilësisë së mjedisit po i nxit gjithashtu tendencat e reja të emigracionit.

Studimi referon se përgjithësisht, ata që planifikojnë të largohen e realizojnë këtë, ndonëse jo 100%.

Në të gjitha anketat e mëparshme në Europë, edhe në vendet e zhvilluara, përvoja ka treguar se pothuajse të gjithë ata që kishin pohuar se do të emigronin e kishin realizuar këtë qëllim brenda dy e tre viteve, përveç atyre që kishin probleme shëndetësore.