Ballina Shëndet Vaj luledielli apo vaj misri – Cili është ndryshimin mes tyre?

Vaj luledielli apo vaj misri – Cili është ndryshimin mes tyre?

Në ditët e sotme, tregjet ofrojnë një larmi vajrash gatimi.

Në supermarket mund të gjesh vaj ulliri, vaj luledielli, vaj misri, vaj të arrës së kokosit apo vaj kikiriku të cilët gjejnë përdorim të gjerë në kuzhinë.

Nga të gjithë vajrat që gjenden në treg, më të përdorurat nga amvisat shqiptare janë vaji i ullirit, vaji i misrit dhe vaji i lulediellit.

Sipas të dhënave të cilave u referohet AgroWeb.org, Shqipëria nuk ka një prodhim të brendshëm të farave të lulediellit, ndaj kompanitë importojnë vaj të papërpunuar që më pas përpunohet në vaj konsumi.

Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2013 tregojnë se konsumi i vajit të lulediellit në vend ishte mbi 34,000 ton.

Vaji i lulediellit përdoret kryesisht për skuqje, përgatitjen e ushqimeve të shpejta dhe atyre të përpunuara.

Ky lloj vaji përmban sasi të larta të acideve yndyrore omega-6.

Kjo sasi mund të arrijë deri në 70 përqind.

Megjithatë këto yndyrna përkeqësojnë inflamacionin në trup dhe e vënë organizmin përballë rreziqeve të mëdha shëndetësore.

Vaji i lulediellit dhe vaji i misrit – Dallimet dhe veçoritë

Kaloritë

Të dhënat të cilave u referohet AgroWeb.org tregojnë se të dy vajrat përmbajnë pothuajse të njëjtën sasi kalorish.

Një filxhan çaji me vaj përmban 1,900 kalori.

Në të dyja rastet kaloritë vijnë nga yndyrnat.

Profili i yndyrnave

Yndyrnat tek vaji i lulediellit janë 90 përqind yndyrna të shëndetshme të pangopura dhe 10 përqind yndyrna të ngopura jo të shëndetshme.

Yndyrnat tek vaji i misrit janë 85 % yndyrna të shëndetshme të pangopura dhe 15 % yndyrna të ngopura.

Kjo do të thotë se vaji i lulediellit është një zgjedhje pak më e mirë në aspektin shëndetësor.

Megjithatë në të dyja rastet vlerat janë pothuajse të njëjta.

Për një gatim të shëndetshëm, AgroWeb.org ju këshillon përdorimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër.

Vajrat në gatim

Dy prej karakteristikave më të rëndësishme të një vaji gatimi janë aroma dhe pika e djegies.

Vaji i misrit digjet më shpejt se vaji i lulediellit.

Kjo nënkupton se vaji i lulediellit është një zgjedhje më e mirë për gatimet e skuqura me temperaturë të lartë.

Për më tepër ai nuk ka një aromë të fortë dhe nuk eliminon aromat karakteristike të ushqimeve.

Në aspekt kostosh, vaji i lulediellit kushton më lirë, ndërsa ai i misrit ka një kosto më të shtrenjtë.