Ballina Kulturë NË ATDHEUN E POPULLIT TË LEPUJVE – Nga Rexhep SHAHU

NË ATDHEUN E POPULLIT TË LEPUJVE – Nga Rexhep SHAHU

Në atdheun e popullit të lepujve
Ku lepujt nuk vrapojnë dot në të përpjetë se lodhen
E as në të teposhtë se këmbët e para i kanë më të shkurtra
E fshihen në ferra kur ndiqen prej zagarëve me dy këmbë
Që i vrasin me pushkë pa zë ose i shqyejnë me dhëmbë;

Në këtë atdhe është e vështirë të jesh gjallë
E vështirë të jesh lepur e të rrish fshehur në ferrë
Se gjahtarët tinzarë ferrat vetë i kanë mbjellë
E në ferrat e tyre me lejen e tyre fshehur mund të rrish
Të jetosh i fshehur e të këndosh pa zë për lirinë
Per lirinë me kusht – kjo liri lejohet prej gjahtarëve e zagarëve
Zotër të atdheut të lepujve
Që shesin bukë e ujë, etje e uri
Që shesin dëftesa virgjërie, nderi e lirie
Këtu nuk fitohet ndryshe liria;

Gjaku i lepujve nuk bën për ta shkruar lirinë
Lepujt nuk dinë të derdhin gjak për lirinë
Lepujt nuk kanë gjak në damarë por ujë të kuq;

Në atdheun e popullit të lepujve
Nuk ka vend për të gjithë
Po qe lepur i egër ose do të vritesh ose do të bëhesh i butë
Si mut…

______________

*Rexhep Shahu është kryeredaktor i revistës letrare “Illz” – revistë letrare e Tiranës, poet, gazetar e studiues nga Kukësi, me banim në Tiranë. Autor i disa librave: “Mali i hënës”. Poezi. Botimet Koha. Tiranë, 1998); “Bregu i brengës”. Poezi. Botimet “Dy Drinat”. Prizren. 2000; “Misioni për Paqen”. Botimet “Dy Drina”. Kukës. 2003; “Marsii minave”. Albapaper. Tiranë, 2006; “Lis i vetëm në fushë”. Poezi. Albesing. 2012; “Apologji për Udhën e Kombit”. Botimet Geer. Tiranë, 2012; “Qyteti i lutjeve”. Poezi. Adonis. Tiranë, 2014; “Bukën tonë të përditshme…”. Publicistikë. Adonis. Durrës, 2014; “Sytë e lirisë” – monografi për heroin Ismail Raka). Adonis. 2014; “Shpirti i lirë i Lumës-Shkrimtarët për Havzi Nelën” (përgaditës). Klubi i Poezisë. Tiranë, 2018; “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Klubi i Poezië. Tiranë, 2019; etj. (Theksojmë se titulli i poezisë së tij të botuar në “Gazeta e Alpeve” është redaksional)